Shtetasi i Kosovës, Bajram Bajrami, është liruar nga autoritetet kroate, pasi ishte ndaluar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, lidhur me pretendime për krime lufte.
Sipas njoftimit të institucioneve të Kosovës, lirimi i Bajramit është bërë pas angazhimit të vazhdueshëm institucional dhe bashkëpunimit me autoritetet kompetente të Kroacisë.
Bajrami ishte ndaluar nën pretendimet e autoriteteve serbe për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës gjatë kohës sa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në njoftim thuhet se që nga momenti i ndalimit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kishte ndërmarrë veprime institucionale për adresimin e rastit.
Më 14 gusht 2026, Gërvalla i ishte drejtuar përmes një shkrese zyrtare ministrit kroat të Drejtësisë, Damir Habijan, si dhe autoriteteve kompetente, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Bajramit.
Në të njëjtën shkresë, sipas njoftimit, ishte ngritur edhe çështja e përdorimit të urdhër-arresteve të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Rasti ishte diskutuar gjithashtu gjatë një bisede telefonike mes Gërvallës dhe homologut të saj kroat.
Institucionet e Kosovës kanë theksuar qëndrimin se qytetarët e Kosovës nuk duhet të ndalohen mbi bazën e pretendimeve të autoriteteve serbe dhe se për veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës, kompetenca u takon institucioneve të drejtësisë së Kosovës.
Në reagim, institucionet kosovare kanë thënë se rasti i Bajramit dëshmon se qytetarët e Kosovës nuk do të mbeten pa mbështetje institucionale kur përballen me urdhër-arreste të lëshuara nga Serbia.
“Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve të saj, për t’i mbrojtur me vendosmëri të drejtat e tyre, dinjitetin e Republikës së Kosovës dhe të vërtetën për luftën tonë të drejtë çlirimtare”, thuhet në njoftim.
Tutje, institucionet kanë deklaruar se drejtësia nuk duhet të përdoret si instrument politik kundër qytetarëve të Kosovës./Telegrafi.