Lionel Messi ka folur për një nga debatet më të nxehta në futbollin e momentit: mosftesën e Neymarit në listat e Brazilit nga Carlo Ancelotti.
Në një bisedë të qetë në programin “Lo del Pollo”, ylli i Inter Miamit u shpreh se pesha e një lojtari si Neymar shkon përtej formës apo gjendjes fizike.
I pyetur nëse braziliani duhet të jetë pjesë e skuadrës për Kupën e Botës, Messi ishte i prerë, edhe pse pranoi se opinioni i tij ndikohet nga zemra.
“Në Botëror duam që të jenë lojtarët më të mirë dhe Ney, pavarësisht situatës së tij, gjithmonë do të jetë një prej tyre. Do të ishte bukur ta shihnim në Kupën e Botës për atë që do të thotë për Brazilin dhe për futbollin. Shpresoj të jetë aty, por s’mund të jem objektiv, sepse ai duhet të jetë gjithmonë aty”.
Përtej aspektit taktik, ku Ancelotti thuhet se nuk po gjen vend për Neymarin në formacionin aktual, kampioni i Botërorit 2022 theksoi edhe anën njerëzore dhe personalitetin e veçantë të yllit brazilian.
“Ai ka një karizëm shumë të veçantë. Nuk shtiret; e jeton jetën ashtu siç është, sipas asaj që ndjen, pa u shqetësuar për pasojat. E jeton jetën, është i lumtur dhe është shumë natyral”.
Në fund, Messi foli edhe për lidhjen që vazhdon të ketë me “trion” legjendare të Barcelonës, të krijuar me Luis Suarez dhe Neymar. Ai pranoi se kontaktet nuk janë më aq të shpeshta sa në periudhën kur ishin bashkë te PSG, por miqësia mbetet e fortë.
“Nuk mendoj se po; nuk kemi folur prej kohësh, vetëm ndonjë përshëndetje apo koment herë pas here. Pastaj isha me Ney në Paris, ndaj ishim çdo ditë në kontakt dhe pastaj kaloi koha. Nuk është shumë aktive, por mendoj se grupi është ende aty. Gjithsesi, flasim herë pas here; kemi një miqësi që shkon pas shumë vitesh”, përfundoi Messi./Telegrafi/