Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Lindon Emërllahu, ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në fitoren e thellë të Polissya Zhytomyr, që triumfoi 5-1, duke dhuruar dy asistime në pjesën e dytë.
Emërllahu e nisi ndeshjen nga banka rezervë, por u inkuadrua në pjesën e dytë, kur Polissya ishte në epërsi minimale prej 2-1.
Mesfushori kosovar shumë shpejt u bë protagonist, duke asistuar në golin e katërt të skuadrës së tij në minutën e 76-të, të cilin e realizoi Igor Krasnopir.
Emërllahu ishte përsëri vendimtar në fund të takimit, pasi asistoi edhe për golin e pestë, të shënuar nga Leandro Andrade në minutën e 87-të.
Kështu, 23-vjeçari kosovar e mbylli ndeshjen me dy asistime, duke qenë një prej lojtarëve kryesorë në fitoren bindëse të Polissyas. Për Emërllahun, këto janë dy asistimet e para këtë sezon.
Në këtë takim pati minuta edhe për një tjetër futbollist të Kombëtares së Kosovës. Ilir Krasniqi ishte titullar dhe luajti gjatë gjithë ndeshjes në repartin e mbrojtjes.
Krasniqi pati një paraqitje të mirë, por në fund të takimit u ndëshkua edhe me karton të kuq.
Me këtë fitore, Polissya vazhdon të mbajë kreun e tabelës në elitën e futbollit ukrainas, duke grumbulluar 12 pikë. /Telegrafi/