Pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kthimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend për rishqyrtim, situata pranë selisë së kësaj partie në Prishtinë ka qenë e qetë.
Shiroka-Pula e kthen në rishqyrtim Ligjin për Specialen
Keshtu ka bërë të ditur gazetarja e TV Dukagjinit, Dorentina Thaçi, e cila ka qëndruar pranë selisë së PDK-së.
Më tutje Thaçi ka bërë të ditur se drejtuesi i iniciativës qytetare “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, e ka mirëpritur kthimin e ligjit në Kuvend dhe sipas tij, s’do të ketë protesta për këtë vendim të PDK-së.
Megjithatë, Haziri ka paralajmëruar se protestat mund të rikthehen nëse ligji nuk votohet brenda një kohe të arsyeshme.
Haziri ishte organizatori i protestës 21-ditore në sheshet e Prishtinës kundër vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestat e asaj periudhe u përqendruan te kërkesa për miratimin e Ligjit për Specialen, ndërsa më 5 tetor pati eskalim të situatës gjatë protestave.

