Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës presin vendimin e presidentes Justina Shiroka-Pula, e cila ka 8 ditë kohë për ta dekretuar ose kthyer ligjin në Kuvend. Ndërkohë, raporti i Avokatit të Popullit ka ngritur shqetësime për transparencën, llogaridhënien dhe respektimin e të drejtave të njeriut nga Specialja, duke nxitur reagime edhe nga përfaqësues politikë
Tetë ditë pas votimit në Kuvend, ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës presin shqyrtimin nga presidentja Justina Shiroka Pula. Ajo do të vendosë nëse do ta dekretojë ligjin apo do ta kthejë atë për rishqyrtim në Kuvend.
Nga Kuvendi i Kosovës kanë bërë të ditur se deri në orën 16:00 të ditës së fundit për ankesa, nuk është paraqitur asnjë e tillë. Rrjedhimisht, pritet që kryetarja e Kuvendit ta nënshkruajë ligjin dhe t'ia përcjellë presidentes, e cila ka tetë ditë kohë për të marrë vendim.
Ndërkohë, puna e Dhomave të Specializuara në Hagë u diskutua edhe gjatë publikimit të raportit të Avokatit të Popullit. Në të, Naim Qelaj shpalosi një sërë shqetësimesh për funksionimin e kësaj gjykate, duke veçuar edhe faktin se nuk i është mundësuar asnjëherë vizita në hapësirat e paraburgimit në Hagë.
"Unë i bëj thirrje faktorit ndërkombëtar, BE-së dhe Këshillit të Evropës që të kenë kujdes të shtuar, ta analizojnë dhe vlerësojnë punën e kësaj gjykate, nëse po i përmbahet qëllimit për të cilin është themeluar dhe standardeve që vetë këto vende i zbatojnë në shtetet e tyre, që lidhen me garantimin procedural në proceset gjyqësore, si dhe të garantojnë që një mekanizëm që vetë e kanë krijuar dhe financojnë të mos i shkelë të drejtat e njeriut", tha ai.
Sipas Qelajt, përveç Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, asnjë institucion apo organizatë tjetër ndërkombëtare nuk e monitoron punën e Speciales. Ai ka kritikuar edhe mungesën e llogaridhënies së kësaj gjykate ndaj institucioneve të Kosovës, duke ngritur shqetësime për transparencën e saj.
Kritika ndaj funksionimit të Speciales pati edhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Arsim Bajrami.
"Tani ne kërkojmë që në procesin e ankimimit BE-ja, Këshilli i Evropës, shtetet donatore që e financojnë, ta bëjnë atë që s?e kanë bërë deri më tani: të kërkojnë llogaridhënie për të gjitha ato mjete buxhetore të cilat i kanë dhënë për një gjykim të drejtë dhe të ushtrojnë një monitorim të respektimit të të drejtave të njeriut", theksoi Bajrami.
Shqetësime për vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit kanë shprehur edhe përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
"Ne kemi një vendim për dënimin e katërshes së UÇK-së në Hagë, ndërkohë që çfarë shohim, jo vetëm prej raportit të Avokatit të Popullit, por edhe nga raporti i britanikëve, flasin për shkelje serioze. Këtë e kanë votuar në Kuvend dhe vendimi në fund është marrë në emër të popullit të Kosovës", pohoi Blerta Deliu nga PDK.
"Do të duhej që edhe ne në Kuvend, edhe në Komisionin për Legjislacion, por edhe institucionet e tjera, të kemi një qasje bukur serioze", theksoi Besnik Tahiri nga Aleanca.
Në raportin e Avokatit të Popullit, shqetësim është ngritur edhe për pranimin dhe administrimin e provave nga Serbia, si dhe të materialeve të tjera, përfshirë literaturën, çështje që sipas raportit vënë në pikëpyetje besueshmërinë e procesit.
Për këtë arsye, raporti rekomandon që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të mundësojnë krijimin e një mekanizmi të pavarur për monitorimin e procedurave gjyqësore në Hagë. Po ashtu, kërkohet që shqetësimet e identifikuara gjatë proceseve gjyqësore t'u adresohen Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Avokati i Popullit u ka bërë thirrje Dhomave të Specializuara që t`i publikojnë të gjitha raportet e komunikimit me shtetet donatore, në mënyrë që këto komunikime të jenë transparente dhe të qasshme për publikun./rtk

