Liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë përcjellë urimet e tyre me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, duke vënë në pah rëndësinë historike të kësaj date dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.
Bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti, në urimin e tij e cilësoi 28 Nëntorin si ditën më të lavdishme të historisë kombëtare, duke theksuar se kjo është dita e flamurit kuqezi, krenarisë, lirisë dhe pavarësisë.
Bashkëkryetari i VLEN, Bilall Kasami, uroi shqiptarët kudo që jetojnë, duke theksuar se 28 Nëntori është një datë që jeton përgjithmonë në zemrën e kombit. Ai kujtoi sakrificën e brezave të kaluar dhe bëri thirrje për ruajtjen e gjuhës, flamurit dhe dashurisë për kombin, pavarësisht kufijve.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim , Ali Ahmeti, ka bërë të ditur se ka vizituar Odën Folklorike Shqiptare në Zvicër, ku është pritur nga përfaqësuesit e saj.
Ahmeti ka vlerësuar rolin e Odës në ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës, traditës, folklorit dhe vlerave kombëtare shqiptare te brezat e rinj, edhe larg atdheut.
“Oda është vlerë, tradita është identitet, ndërsa mikpritja është virtyt shqiptar!”, ka shkruar Ahmeti, duke falënderuar organizatorët për mikpritjen dhe përkushtimin në ruajtjen e traditës shqiptare.
Ndërkaq, edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka përcjellë urimin e tij për 28 Nëntorin, duke rikujtuar dy ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare.
Ai ka përmendur ngritjen e flamurit nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu më 28 nëntor 1443 dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali më 28 nëntor 1912.
“28 nëntor, 2026 çdo shqiptar përulet me dashuri e përkushtim para Flamurit të Shqiponjave!”, ka shkruar Taravari.
Të dy mesazhet kanë në fokus simbolikën e 28 Nëntorit dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit, traditës dhe lidhjeve kombëtare shqiptare.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, në mesazhin e tij vuri në pah kontributin e rilindasve dhe sakrificën e dëshmorëve të kombit. Ai theksoi se flamuri kuqezi mbetet simbol i bashkimit, dinjitetit dhe qëndresës, duke bërë thirrje që amaneti i të parëve të nderohet jo vetëm me fjalë, por edhe me punë konkrete.
Urim për 28 Nëntorin ka përcjellë edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili theksoi se identiteti kombëtar, liria dhe dinjiteti janë vlera për të cilat breza të tërë shqiptarësh kanë sakrifikuar.
Ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së rrënjëve dhe historisë, si dhe forcimit të pozitës së shqiptarëve në shoqëritë ku jetojnë.
Në mesazhet e tyre, liderët shqiptarë u ndalën te rëndësia e unitetit, krenarisë kombëtare, ruajtjes së identitetit dhe përgjegjësisë për të ardhmen e brezave të rinj.

