Lëvizja Studentore e Serbisë që ka fituar zgjedhjet parlajemntare, ka reaguar kundër Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë, i cili është miratuar në lexim të parë në Kuvend.
Në një deklaratë, kjo lëvizje ka pretenduar se kompetencat e reja të inspektoratit mund të cenojnë mbrojtjen e kishave dhe manastireve ortodokse serbe në Kosovë.
Pushteti në ardhje i Serbisë ka kritikuar edhe faktin që, sipas saj, projektligji është miratuar pa konsultime me Kishën Ortodokse Serbe.
Po ashtu ajo iu ka bërë thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që ta përcjellin procesin, ndërsa institucioneve të Kosovës u ka kërkuar që dispozitat e projektligjit të jenë në përputhje me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura. /Gazeta Express
Reagimi i plotë pa ndërhyrje:
Deklaratë e Lëvizjes Studentore lidhur me Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë
Lëvizja Studentore shpreh shqetësim për miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore në Kuvendin e të ashtuquajturit shtet të Kosovës, veçanërisht për shkak të pasojave të mundshme që kompetencat e reja inspektuese mund të kenë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe.
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore duhet të bazohet në parimet profesionale, sundimin e ligjit dhe respektimin e garancive ligjore të përcaktuara.
Vendosja e mekanizmave të rinj të mbikëqyrjes inspektuese nuk duhet të çojë në dobësimin e regjimit të veçantë të mbrojtjes për manastiret dhe kishat ortodokse serbe, e as në anashkalimin e procedurave dhe kompetencave ekzistuese të përcaktuara me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.
Veçanërisht shqetësues është fakti se këto rregullore janë miratuar pa konsultime me Kishën Ortodokse Serbe, objektet fetare dhe pronat e së cilës përfshihen drejtpërdrejt në dispozitat e propozuara ligjore, duke cenuar kështu drejtpërdrejt të drejtat e komuniteteve fetare dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
U bëjmë thirrje përfaqësuesve përkatës të bashkësisë ndërkombëtare që ta monitorojnë nga afër këtë proces, duke pasur parasysh garancitë ekzistuese juridike ndërkombëtare për mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe, pronës dhe trashëgimisë së saj kulturore në Kosovë, si dhe garancitë dhe detyrimet juridikisht të obligueshme që Prishtina ka marrë përsipër në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin. Gjithashtu, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse në Prishtinë që, gjatë vazhdimit të procesit legjislativ, të sigurojnë që dispozitat e propozuara të jenë plotësisht në përputhje me këto garanci dhe mekanizma mbrojtës.
Ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk duhet t’i nënshtrohet rregullimeve institucionale të njëanshme, të cilat mund të rrezikojnë garancitë ekzistuese për mbrojtjen e saj. Ajo kërkon siguri juridike, përgjegjësi profesionale, dialog dhe pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara.

