Legjenda e Juventusit, Leonardo Bonucci, ka zbuluar se ëndrra e tij është të bëhet trajner kryesor i Juventusit ose i Kombëtares së Italisë.
Ish-qendërmbrojtësi zhvilloi 502 paraqitje me fanellën e Juventusit në dy periudha të ndryshme, të ndara nga një sezon i kaluar te rivali i madh, Milani.
Gjatë karrierës me bardhezinjtë, Bonucci fitoi tetë tituj të Serie A dhe katër Kupa të Italisë, ndërsa arriti dy herë në finalen e Ligës së Kampionëve, por në të dyja rastet pësoi humbje.
Aktualisht, 39-vjeçari është pjesë e stafit të Roberto Mancinit te Kombëtarja e Italisë, por nuk e ka fshehur ambicien për të marrë drejtimin e një skuadre si trajner kryesor.
“Është një projekt që nisi gati dhjetë vjet më parë. Kur isha 30-vjeçar, e kisha një ide se kur do të përfundonte karriera ime si futbollist dhe sa kohë do të më duhej për t’i marrë licencat e trajnerit”.
“Tani jam 39 vjeç dhe i kisha premtuar vetes se do të bëhesha trajner kryesor në moshën 40-vjeçare. Vitin e ardhshëm do ta përfundoj kualifikimin e fundit që më nevojitet për të drejtuar skuadra në çdo nivel”.
Megjithatë, ish-mbrojtësi pranoi se angazhimi aktual me Kombëtaren e Italisë mund ta shtyjë për pak kohë realizimin e këtij synimi.
“Tani jam në këtë rrugëtim me Kombëtaren, që është i këndshëm, emocionues dhe stresues. Ndoshta do ta shtyj për disa vjet, por synimi është të provoj të bëhem trajner kryesor, sepse arritja e këtij qëllimi nuk është aspak e garantuar”.
Bonucci e bëri të qartë se Juventusi është zgjedhja e tij e preferuar për një aventurë të ardhshme si trajner, megjithëse drejtimi i Kombëtares mbetet gjithashtu një ëndërr.
“Juventusi është mbi të gjitha. Por besoj se ana profesionale të shtyn të pranosh sfida edhe kur ato bien ndesh me preferencat e tua personale. Dëshira për t’u bërë trajner të shtyn edhe më shumë. Megjithatë, ëndrra është Juventusi ose Kombëtarja”, përfundoi ai.
Ndërkohë, Juventusi po kalon një periudhë të vështirë nën drejtimin e Luciano Spallettit, i cili po përballet me presion të madh për shkak të rezultateve. Para përballjes së së dielës, bardhezinjtë kanë vetëm dy pikë më shumë se kundërshtari i radhës, Lecce./Telegrafi/

