Lëkura është organi më i madh i trupit dhe luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen nga mikroorganizmat, rregullimin e temperaturës dhe mbrojtjen e indeve të brendshme.
Ajo gjithashtu prodhon vitaminë D, përmban melaninë dhe na mundëson të ndiejmë temperaturën, presionin dhe dhimbjen.
Për ta mbajtur lëkurën të shëndetshme, nuk nevojitet domosdoshmërisht një rutinë e komplikuar.
Ekspertët rekomandojnë tre hapa bazë: një pastrues të përshtatshëm për llojin e lëkurës, hidratues dhe krem mbrojtës me spektër të gjerë SPF 30 ose më të lartë. Kremi kundër diellit duhet të riaplikohet çdo dy orë, si dhe pas notit ose djersitjes.
Edhe ushqimi ndikon në shëndetin e lëkurës. Ushqimet e pasura me antioksidantë, si perimet me gjethe jeshile dhe frutat e pyllit, si dhe yndyrnat e shëndetshme nga salmoni, arrat dhe farat chia, mund të mbështesin barrierën e lëkurës.
Gjithashtu, aktiviteti fizik, gjumi i mjaftueshëm dhe menaxhimi i stresit janë pjesë e kujdesit të përgjithshëm.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu shmangien e ujit shumë të nxehtë gjatë dushit, pasi mund të largojë faktorët natyralë hidratues të lëkurës.
Uji i vakët është zgjedhje më e përshtatshme. Produktet e kujdesit duhet të përshtaten me llojin e lëkurës, ndërsa përdorimi i duhanit duhet shmangur, pasi lidhet me plakjen e parakohshme të lëkurës dhe disa probleme dermatologjike.
Nëse rutina e kujdesit nuk po jep rezultat, shfaqen irritime të vazhdueshme ose keni një problem të lëkurës që nuk largohet, dermatologu mund të ndihmojë në përcaktimin e shkakut dhe trajtimit të përshtatshëm.
Kontrollet dermatologjike mund të jenë gjithashtu të dobishme për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të disa problemeve të lëkurës. /Telegrafi/