Legjenda e Barcelonës, Carles Rexach, ka përzgjedhur Raphinhën si fituesin e Topit të Artë, pavarësisht se braziliani nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për çmimin prestigjioz individual.
Rexach beson se paraqitjet e Raphinhës e bëjnë atë të denjë për këtë çmim, nëse Topi i Artë do të jepej bazuar në formën dhe performancën aktuale.
“Po të jepej Topi i Artë sot, do t’i takonte Raphinhës. Vitin e kaluar ai fitoi pothuajse gjithçka, ndërsa këtë vit ka shënuar 14 gola”, deklaroi Rexach.
Ish-futbollisti i Barcelonës ngriti gjithashtu pikëpyetje rreth kritereve mbi të cilat përcaktohet fituesi i Topit të Artë, duke argumentuar se ato mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.
“Por duhet të jenë më të qartë me kriteret për dhënien e këtij çmimi. Duhet të dimë periudhën që merret në konsideratë, nëse llogariten titujt dhe golat, apo nëse një gol i shënuar nga një mbrojtës vlen tri herë më shumë”, u shpreh ai.
Rexach pati fjalë të mëdha edhe për Barcelonën e drejtuar nga Hansi Flick.
Sipas tij, katalunasit aktualisht po luajnë me një ritëm dukshëm më të lartë se rivalët e tyre në Spanjë.
“Në këtë moment, e vetmja skuadër që mund t’i bëjë ballë Barcelonës është PSG-ja. Të tjerat nuk kanë shumë mundësi – Barcelona luan me një ritëm tjetër, vrapon dhe punon shumë”, theksoi Rexach.
Rexach ka kaluar gjithsej 44 vjet te Barcelona, fillimisht si futbollist që nga akademia e klubit e më pas në role të ndryshme, përfshirë atë të trajnerit dhe drejtorit teknik.
Duke kujtuar periudhën e tij të gjatë në klub, Rexach tha se pjesa që e ka shijuar më së shumti ka qenë ajo si futbollist.
“Mund të kem pasur ndikim në disa fusha, sepse si futbollist lë gjurmë përmes asaj që bën në fushë. Më pas, si trajner, drejtor teknik apo në rekrutimin e lojtarëve, është një histori tjetër”.
“Por nga të gjitha këto role, ajo që kujtoj më së shumti është koha kur luaja, atëherë jam argëtuar më së shumti”, përfundoi ai. /Telegrafi/