Ish-futbollistja Edonisa Aliu ka folur për incidentin me analistin sportiv Liridon Leci, që dyshohet se ndodhi pas përfundimit të emisionit në një nga televizionet në Kosovë.
Në emisionin “Kosova Today”, Aliu ka dhënë versionin e saj për ngjarjen, duke deklaruar se është fyer dhe se incidenti e ka prekur edhe në aspektin personal dhe familjar.
“Unë i kam nëntë dëshmitarë. I pres pamjet filmike nga momenti kur është mbyllur emisioni deri në fund, që të dalin pamjet dhe të zbardhet e gjithë e vërteta. Pas emisionit, unë jam denigruar si femër, më ka prekur në moral, më ka prekur në familje”, ka deklaruar Aliu.
Ndërkaq, Prokuroria e Prishtinës ka dhënë detaje lidhur me rastin, duke iu referuar edhe pamjeve të kamerave të sigurisë.
Kjo e fundit bëri të ditur se Aliu është intervistuar në cilësinë e palës së dëmtuar, ku ka deklaruar se pas përfundimit të emisionit është fyer dhe është kapur për fyti nga Leci.
Ndërkaq, sipas Prokurorisë, dje më 12.10.2026, Njësia e Hetimeve ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë, në të cilat shihet se Edonisa Aliu, duke tensionuar situatën, e ka kapur për fyti dhe e ka goditur në fytyrë Liridon Lecin.
Tutje thuhet se lidhur me rastin në fjalë, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin për veprat penale, lëndim i lehtë trupor, dhe deklarim i rremë.
“Ndërkohë, Liridon Leci ishte ftuar të ishte pjesë e studios në emisionin ‘Kosova Today’, por ai nuk mori pjesë.

