LeBron James u shfaq me fanellën e Philadelphia 76ers në Ditën e Mediave në Camden të New Jerseyt, në prag të fillimit të fazës përgatitore dhe sezonit të tij të 24-t në NBA.
James u ul pranë yjeve të rinj dhe atyre që tashmë janë pjesë e ekipit të Sixers, përfshirë Tyrese Maxey, Joel Embiid dhe Jaylen Brown.
Ardhja e një prej basketbollistëve më të njohur në botë dhe golashënuesit më të mirë në historinë e NBA-së tërhoqi vëmendje të jashtëzakonshme nga mediat.
Sezoni i ri në Philadelphia po shihet si një nga më të shumëpriturit që prej epokës së legjendës Julius Erving.
Në fillim të konferencës për media, James e largoi mikrofonin dhe hodhi në tokë tabelën me emrin e tij, duke pyetur me shaka: “E dini kush jam, apo jo?”.
Më pas, katër herë kampioni i NBA-së e bëri të qartë se nuk ka ardhur në Philadelphia vetëm për të shtuar një tjetër kapitull në karrierën e tij.
“Nuk e lashë familjen time për të humbur në raundin e dytë”, deklaroi James, duke iu referuar synimeve të tij për sezonin e ri.
Sixers e mbyllën sezonin e kaluar me bilanc 45 fitore dhe 37 humbje, ndërsa në raundin e dytë të “play-off”-it u eliminuan nga New York Knicks, skuadër që më pas u shpall kampione.
Ardhja e James është pjesë e rindërtimit të ekipit gjatë verës, teksa Philadelphia synon t’i japë fund pritjes për titullin e NBA-së, e cila zgjat që nga viti 1983.
James, i cili tani është 41 vjeç, ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me vlerë prej tetë milionë dollarësh, në nivelin e pagës minimale për veteranët.
Gjatë karrierës së tij, James është përzgjedhur 22 herë në “All-Star”, 21 herë në ekipet “All-NBA”, ka fituar katër herë çmimin MVP të sezonit dhe katër herë është shpallur MVP i finaleve të NBA-së.
Ai është gjithashtu pjesë e ekipit të përzgjedhur për 75-vjetorin e NBA-së.
Sezonin e kaluar, James regjistroi mesatarisht 20.9 pikë, 6.1 kërcime dhe 7.2 asistime për ndeshje.
Në karrierë, ai ka mesatare prej 26.8 pikësh, 7.5 kërcimesh dhe 7.4 asistimesh në më shumë se 1,600 ndeshje.
Ndërkohë, ylli i Sixers, Tyrese Maxey, e mirëpriti ardhjen e James me një deklaratë të shkurtër: “Është vërtet fantastike që ai është këtu”.
James nuk pranoi të përcaktojë se sa gjatë planifikon të vazhdojë të luajë në NBA.
Ai theksoi se aktualisht është i përqendruar te përshtatja me bashkëlojtarët e rinj dhe te transferimi i përvojës së fituar gjatë viteve me Cleveland Cavaliers, Miami Heat dhe Los Angeles Lakers te një ekip që synon të bëjë hapin e fundit drejt titullit. /Telegrafi/