Për një mbrëmje romantike në Paris, Lauren Sánchez zgjodhi një fustan blu të punuar me grep, i cili ia theksonte në mënyrë perfekte linjat trupore
Lauren Sánchez Bezos tregoi edhe një herë se ka një stil të veçantë në modë. Për një mbrëmje romantike me bashkëshortin e saj në Paris, ajo zgjodhi një fustan blu që i theksonte bukur linjat trupore.
Ish-gazetarja, 56 vjeçe, dukej shumë glamuroze me fustanin e kaltër të punuar me grep, një krijim që vinte në pah figurën e saj të tonifikuar dhe vetëbesimin tashmë të njohur.
Sipas Harper’s Bazaar, fustani ishte një krijim vintage Christian Dior nga koleksioni pranverë/verë 2001 i John Gallianos, ndërsa InStyle e përshkroi si një nga ato veshje që ndërthurin punimin me grep, transparencën dhe detajet metalike në një pamje shumë të guximshme, transmeton Telegrafi.
Fustani pa mëngë kishte edhe pjesë transparente në fund, duke krijuar një efekt dramatik teksa i zbulonte këmbët gjatë ecjes drejt hyrjes së hotelit. Pamjen e plotësoi me syze të mëdha të zeza dielli dhe vathë vezullues me diamante.
Ajo e kombinoi dukjen edhe me aksesorë luksozë, përfshirë një çantë të rrallë Chanel “Ice Cube Minaudière”, e cila, sipas mediave të modës, përshtatej me detajet metalike të fustanit dhe i jepte pamjes një prekje edhe më ekskluzive.
Flokët ngjyrë kafe i kishte lidhur në një bisht elegant, me onde të buta, ndërsa grimi neutral ia theksonte tenin e ndritshëm. Nëna e tre fëmijëve e përmbylli dukjen me taka të larta, teksa buzëqeshte para fotografëve para se të hynte në automjetin që e priste.
/Telegrafi/
