Komuna e Podujevës ka njoftuar se drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Behram Latifi, ka zhvilluar vizita në terren te fermerët në Llapashticë të Epërme, Dobratin dhe Peran.
Gjatë vizitave, Latifi është njohur nga afër me aktivitetet e fermerëve dhe punën e tyre në fusha të ndryshme të bujqësisë, duke përfshirë kultivimin e drithërave, blegtorinë, prodhimin e frutave të imta dhe kultivimin e perimeve në serra.
Sipas njoftimit të komunës, gjatë takimeve është diskutuar për veprimtarinë e fermerëve dhe rëndësinë e mbështetjes së sektorit të bujqësisë.
Drejtori Latifi ka deklaruar se Komuna e Podujevës do të vazhdojë të mbështesë fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë, me synim krijimin e kushteve më të favorshme për rritjen e prodhimit vendor dhe fuqizimin e ekonomive familjare që merren me bujqësi.
Vizitat janë zhvilluar më 30 shtator 2026, në kuadër të angazhimeve të Komunës së Podujevës për të qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me fermerët dhe për të njohur nga afër nevojat e tyre. /Telegrafi/