Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka ndërmarrë hapa të shpejtë për të zgjidhur mosmarrëveshjet me kompaninë turke Limak, e cila është përgjegjëse për rinovimin e stadiumit “Spotify Camp Nou”.
Sipas gazetës spanjolle Sport dhe radios RAC1, Laporta shfrytëzoi udhëtimin në Stamboll për ndeshjen e Barcelonës në Ligën e Kampionëve për t’u takuar me drejtuesit e kompanisë turke dhe për të diskutuar për ecurinë e punimeve.
Në takime morën pjesë edhe disa anëtarë të bordit drejtues të klubit katalanas, si dhe Ebru Özdemir, kryetare dhe drejtoreshë ekzekutive e Limak Holding.
Qëllimi i bisedimeve ishte tejkalimi i mosmarrëveshjeve, koordinimi më i mirë mes dy palëve dhe përshpejtimi i punimeve, në mënyrë që stadiumi të përfundojë sa më shpejt dhe sipas standardeve të kërkuara.
Barcelona dhe Limak lënë mënjanë përplasjet
Sipas raportimeve, takimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore. Përfaqësuesit e të dyja palëve ranë dakord që në këtë fazë prioriteti kryesor të jetë përfundimi i projektit, duke bashkuar përpjekjet për të shmangur vonesa të tjera.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjitha mosmarrëveshjet janë zgjidhur përfundimisht. Çështja e mundshme e penaliteteve financiare për vonesat mbetet e hapur dhe nuk përjashtohet që në të ardhmen të përfundojë në gjykatë.
Kjo temë nuk u diskutua gjatë takimeve në Turqi, pasi të dyja palët dëshirojnë që fillimisht të përfundojnë punimet dhe t’u mundësojnë tifozëve shfrytëzimin e plotë të stadiumit.
Kur pritet hapja e plotë e “Camp Nou”?
Barcelona nuk planifikon ta hapë për tifozët tribunën e tretë përpara përfundimit të punimeve në çati.
Ndërkohë, klubi synon të hapë disa prej zonave VIP mes fundit të vitit 2026 dhe fillimit të vitit 2027. Kjo do t’i mundësonte Barcelonës të krijonte të ardhura shtesë ndërsa vazhdojnë punimet në stadium.
Për Laportën, përfundimi i projektit është thelbësor jo vetëm për rikthimin e plotë të tifozëve, por edhe për përmirësimin e të ardhurave të klubit dhe forcimin e pozitës së tij financiare. /Zëri

