Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Real Madridit, duke e akuzuar rivalin e përjetshëm për përpjekje për të dëmtuar institucionet e futbollit spanjoll.
Laporta ka shprehur mbështetjen e tij për presidentin e La Ligës, Javier Tebas, në përballjen me kritikat dhe presionin që, sipas tij, vijnë nga klubi madrilen.
“Duket sikur duan të shkatërrojnë gjithçka. Duan të shkatërrojnë La Ligën dhe Komitetin Teknik të Arbitrave. Janë të pakënaqur edhe me Federatën Spanjolle dhe asgjë nuk i kënaq”, ka deklaruar Laporta.
Kreu i Barcelonës ka kritikuar gjithashtu qasjen e Real Madridit, duke thënë se klubi madrilen vazhdimisht sulmon vendimet dhe institucionet e futbollit spanjoll.
Laporta ka folur edhe për ndeshjet e rëndësishme që e presin Barcelonën, fillimisht kundër Real Betisit, më pas ndaj Paris Saint-Germainit dhe në fund në El Clasicon kundër Real Madridit.
Ai shpreson që skuadra e tij të vazhdojë rezultatet pozitive dhe të ruajë ose ta rrisë epërsinë në kampionat. /Zëri

