Futbolli kosovar është goditur nga një lajm i rëndë. Ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike futbollisti Fatjon Bunjaku, në moshën 22-vjeçare.
Bunjaku, i cili së fundmi ishte pjesë e Elbasanit në Shqipëri, gjatë karrierës së tij kishte luajtur për disa skuadra të njohura në Kosovë, ndërsa kishte qenë edhe pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës, ku konsiderohej një prej futbollistëve me perspektivë.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë i ditur nga faqja zyrtare e fshatit Samadraxhë, e cila ka njoftuar se 22-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik.
“Ka ndërruar jetë tragjikisht Fatjon Fatmir Bunjaku. Të nderuar bashkëvendas, ju njoftojmë që mbrëmë në një aksident tragjik ka ndërruar jetë Fatjon Fatmir Bunjaku. Për ditën dhe orën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë. Në emër të të gjithë banorëve të fshatit ju shprehim ngushëllime familjes Bunjaku”, thuhet në njoftim.
Vdekja e parakohshme e Bunjakut ka tronditur familjarët, miqtë dhe mbarë komunitetin e futbollit, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë reagime edhe nga klubet ku ai ka luajtur dhe nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Bunjaku ka luajtur për Malishevën, Lirinë, Gjilanin dhe Trepçën. /Telegrafi/
