Qeveria ka dhënë sot miratimin për projektligjin e sponsorizimeve. Lajmin e madh e ndau Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili u shpreh se nga dita e sotme, nis një kapitull i ri për sportin, kulturën dhe artin.
Nga stadiumi “Air Albania”, ministri Gonxhja ka shpjeguar se si do të funksionojë ky ligj, duke e konsideruar një hap historik për zhvillimin që prek edhe sportin shqiptar, për të rinjtë dhe të talentuarit. Po ashtu, Gonxhja prek edhe marrëdhënien mes shtetit dhe biznesit që do të fuqizohet akoma dhe më shumë në bazë të këtij projektligji.
Miratimi i bërë së fundmi nga Këshilli i Ministrave nuk bën fjalë vetëm për ndryshim të ligjit por një moment me peshë për një sektor, i cili prej vitesh ka kërkuar një mekanizëm të vërtetë për të tërhequr investimet private.
“Një vendim historik që pritet të revolucionarizojë financimin e aktiviteteve sportive, artistike e kulturore në Shqipëri. Këshilli i Ministrave miratoi sot Projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet, duke i hapur rrugë një mekanizmi të ri, të paparë më parë, për mbështetjen financiare të këtyre sektorëve që me këtë politikë të re I trajtojmë si prioritarë për vlerën e shtuar sociale, edukative dhe ekonomike që ato gjenerojnë.
Një reformë e rëndësishme e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit që synon të krijojë një partneritet të ri mes shtetit dhe biznesit, duke e kthyer sponsorizimin në një instrument real investimi për talentin shqiptar. Për herë të parë, bizneset që sponsorizojnë artin, kulturën dhe sportin, sipas dispozitave të reja, do të mund ta zbresin faturën e sponsorizimit, direkt deri në 30 përqind të tatimit mbi fitimin. Skema parashikon një tavan deri në 2 miliardë lekë të reja në vit ose rreth 22 milionë euro në dispozicion të financimit të sportit, artit dhe kulturës, përmbi programet e miratuara vjetore të buxhetit të shtetit.
Një nxitje kjo e fuqishme që do të sjellë një efekt zinxhir pozitiv rritës për eventet dhe bashkëfinancimet, për imazhin dhe prestigjin ndërkombëtar, për industrinë kreative dhe komunitetet sportive, duke rritur kohezionin dhe ulur kostot e shtetit në shëndetësi, siguri dhe çështje sociale.
Reforma sjell edhe një standard të ri transparence, përmes regjistrit elektronik kombëtar të sponsorizimeve dhe mekanizmave të auditit dhe të kontrollit. Një hap ky historik që synon t’i japë kulturës dhe sportit shqiptar më shumë jetë, më shumë mundësi dhe një perspektivë të re cilësie dhe zhvillimi. Një kapitull i ri për të rinjtë dhe të talentuarit. Një nismë e shumëpritur dhe e shumëkërkuar që sot jemi në gjendje ta guxojmë sepse sot Shqipëria ka potencial financiar e buxhetor, falë politikave e rritjes konkrete ekonomike”, u shpreh Gonxhja.

