Këngëtari Labinot Rexha ka reaguar përmes një postimi në InstaStory, ku i është drejtuar Benita Zenës, duke rikthyer në vëmendje raportet dhe përplasjet që kanë vazhduar edhe pas përfundimit të edicionit të kaluar të Big Brother VIP Kosova.
Në postimin e tij, Rexha ka bërë një krahasim mes zhvillimeve politike dhe asaj që kishte ndodhur gjatë eksperiencës së tyre në reality show.
Ai ka përmendur rezultatin e Albin Kurtit, duke theksuar se, pavarësisht përpjekjeve të kundërshtarëve për ta rrëzuar politikisht, në fund ai mori 51 për qind të votave.
Foto: Screenshot/Instagram
Më pas, këngëtari e ka lidhur këtë shembull me përvojën e tyre, duke rikujtuar se edhe ai dhe Benita ishin munduar shumë, por se kjo nuk do të thotë se duhet të mos pranohet mbështetja që publiku i jep një personi tjetër.
“Edhe ne të dy jemi munduar shumë, por Eljona na fitoi. Dhe duhet ta pranojmë një të vërtetë: njeriu që është i drejtë duhet t’ia zgjasë dorën atij që e do publiku, edhe kur nuk është rezultati që ka dëshiruar vetë”, ka shkruar Rexha.
Ka shtuar po ashtu se nuk ka asgjë kundër Elijonës, përkundrazi, sipas tij, nëse publiku e do dhe e mbështet, zgjedhja e tij duhet respektuar.
Me këtë mesazh, Rexha duket se ka dashur të përcjellë një qëndrim edhe për deklaratat dhe komentet që janë bërë ndaj saj pas përfundimit të formatit.
Në fund, ka nënvizuar se publiku është vendimtar dhe se, ndonëse mund të ketë debate, lojëra dhe emocione, vullneti i tij duhet respektuar gjithmonë. /Telegrafi/

