Në më pak se një vit funksionimi, skaneri mobil i Doganës së Kosovës ka arritur të zbulojë qindra raste të mallrave të fshehura dhe të ndaluara në maune, automjete , autobus që kalojnë kufirin.
Armë, municion, lëndë narkotike, para të gatshme dhe mallra të tjera të paligjshme janë në mesin e zbulimeve të realizuara falë kësaj pajisjeje moderne, të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një ndër rastet që dëshmoi rëndësinë e kësaj pajisjeje ishte zbulimi i rreth një milion eurove të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një automjeti. Ndërsa, në një rast tjetër, përmes pajisjeve skanuese u zbuluan 43 armë të gjata, përfshirë 42 pushkë automatike AK-47 dhe një pushkë Walther, si dhe 41 karikatorë. Për këtë rast, Policia e Kosovës arrestoi një shtetas gjerman, nën dyshimin për trafikim të kundërligjshëm të armëve.
Për funksionimin e kësaj teknologjie dhe rezultatet që po arrihen me të, për IndeksOnline ka folur Naser Aliu, zyrtar doganor në njësinë e skanerit, i cili ka treguar se pajisja ka lehtësuar dukshëm punën e zyrtarëve në pikëkalimin kufitar.
Aliu ka shpjeguar se skaneri është një pajisje shumë e sofistikuar, përmes së cilës mund të kontrollohen automjete të ndryshme, autobusë dhe kamionë, duke identifikuar hapësirat e dyshimta ku mund të fshihen armë, para, narkotikë apo mallra të tjera të kundërligjshme.

