Dizajni i interierit ka pësuar një ndryshim të madh, ndërsa një mobilie që për dekada ishte sinonim i rehatisë në dhomën e ndenjjes, po humb gjithnjë e më shumë terren
Nëse po planifikoni ta rifreskoni shtëpinë, dizajnerët e interierit kanë një këshillë të rëndësishme: kolltukët klasikë, të rëndë dhe voluminozë, me mbështetëse masive për krahët, nuk janë më zgjedhja e parë.
Koha kur sallonet e mobilieve ishin të mbushura me kolltukë të thellë, të rëndë dhe të vështirë për t’u lëvizur duket se po mbetet pas. Krahas divanit, në apartamentet moderne po shfaqet gjithnjë e më shpesh një lloj krejt tjetër kolltuku, i cili ofron rehati të lartë, por pa e rënduar vizualisht hapësirën.
Bëhet fjalë për kolltukë skulpturorë me forma organike, pa mbështetëse anësore për krahët – të ashtuquajturat modele “pillow” – si dhe për kolltukë kompaktë rrotullues, me bazë të fshehur, të cilët janë shndërruar në një nga trendet më të kërkuara të momentit.
Lamtumirë anëve masive
Kolltuku tradicional zakonisht ka mbështetëse të gjera dhe të veshura për krahët, të cilat mund të zënë një pjesë të konsiderueshme të gjerësisë së përgjithshme të tij.
Modelet e reja i eliminojnë këto struktura të rënda dhe ofrojnë pothuajse të njëjtën hapësirë për t’u ulur, por me përmasa të jashtme dukshëm më të vogla, transmeton Telegrafi.
Funksionalitet që pothuajse nuk shihet
Kolltukët modernë rrotullues nga jashtë duken minimalistë dhe elegantë, por brenda tyre fshihet një mekanizëm që mundëson rrotullim deri në 360 gradë.
Me një lëvizje të trupit mund të ktheheni nga televizori drejt mysafirëve, pa pasur nevojë ta tërhiqni apo zhvendosni mobilien e rëndë nëpër qilim.
Efekti i “lundrimit” në hapësirë
Ndryshe nga kolltukët e vjetër, format masive të të cilëve shpesh e mbyllnin vizualisht një kënd të dhomës, modelet e reja ose vendosen shumë ulët, si jastëkë të mëdhenj e të rehatshëm, ose ngrihen mbi këmbë të holla metalike.
Në të dyja rastet, hapësira duket më e hapur dhe më e lehtë. Modelet e ulëta lënë më shumë hapësirë vizuale në pjesën e sipërme të dhomës, ndërsa këmbët e holla lejojnë që drita të kalojë lirshëm poshtë mobilies.
Prakticiteti në plan të parë
Përveçse përshtaten shumë mirë në apartamente më të vogla, ku çdo metër katror ka rëndësi, këto modele janë edhe më praktike për mirëmbajtjen e higjienës.
Format më të lehta dhe hapësira poshtë tyre bëjnë që fshesat robotike dhe pajisjet për larjen e dyshemesë të kalojnë shumë më lehtë përreth dhe nën kolltuk.
Blerësit po e përqafojnë gjithnjë e më shumë këtë trend, ndërsa në sallonet e mobilieve kërkohen kolltukë që ngjajnë me objekte moderne dizajni, por njëkohësisht ofrojnë rehati të lartë pa strukturat e rënda dhe voluminoze me të cilat ishim mësuar. /Telegrafi/