Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 83 vota për Projektligjin për ratifikimin e Konventës për Marrëveshjen për Zgjedhjen e Gjykatës.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se kjo konventë u ofron bizneseve dhe investitorëve siguri juridike, duke mundësuar respektimin e marrëveshjeve për zgjedhjen e gjykatës në kontestet ndërkombëtare.
Ajo theksoi se ratifikimi i saj do të kontribuojë në rritjen e besueshmërisë së Kosovës për investitorët e huaj, në forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe në përafrimin e sistemit të drejtësisë me praktikat ndërkombëtare.
“Së pari, ne po ju japim bizneseve tona dhe investitorëve tuaj lirinë kontraktore dhe sigurinë juridike që ju takon. Kur një investitor ndërkombëtar e din se marrëveshja e tij me një kompani nga Kosova mbrohet nga standardet e Hagës dhe se zgjedhja e Gjykatës respektohet, atëherë Kosova bëhet një destinacion shumë më tërheqës dhe më të besueshëm. Së dyti, ne po i ndërtojmë një bashkëpunim modern dhe të besueshëm juridik ndërkombëtar. Përmes kësaj konvente, institucionet tona po dëshmojnë përkushtim të qartë për t’u afruar sistemit tonë të drejtësisë me praktikat më të avancuara ndërkombëtare dhe për të ulur kostot e zgjidhjes së kontesteve. Dhe së treti, ky hap është pjesë e pandashme e orientimit tonë strategjik në politikën e jashtme”, tha ajo.

