Kuvendi i Kryeqytetit ka miratuar rregulloren e “Prishtina Parking”.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, përmes një postimi në Facebook, transmeton lajmi.net.
Ai e ka cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm drejt organizimit më të mirë të parkingjeve dhe shfrytëzimit më funksional të hapësirave publike në qytet.
“Një lajm i mirë për Prishtinën! Sot, pas propozimit në Kuvendin e Kryeqytetit, u votua Rregullorja e rikthimit të ‘Prishtina Parking’”, ka shkruar Retkoceri.
Sipas tij, çështja e parkimit në Prishtinë është shndërruar në një sfidë të përditshme për banorët, bizneset dhe të gjithë ata që qarkullojnë në kryeqytet.
Retkoceri ka falënderuar asamblistët për votimin e rregullores, duke theksuar se tashmë fokusi do të jetë te zbatimi i vendimit.
“Sot u mor vendimi. Tash vazhdojmë me punën për zbatimin e tij!”, ka përfunduar ai.
Ndërkaq, mbetet të shihet se kur do të nisë zbatimi i rregullores dhe rikthimi konkret i shërbimit “Prishtina Parking” në kryeqytet./lajmi.net/

