Kuvendi i Komunës së Malishevës ka miratuar projektbuxhetin për vitet 2027–2029, me fokus të veçantë në buxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën prej 23,161,855 eurosh.
Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka bërë të ditur se propozimi i buxhetit është miratuar me shumicë votash.
Sipas Kastratit, buxheti parasheh investime në Malishevën urbane, rrugë lokale, kanalizime, ndriçim publik, shkolla, shëndetësi dhe bujqësi.
“Ky buxhet sjell investime në Malishevën Urbane, rrugë lokale, kanalizime, ndriçim publik, investime në shkolla, në shëndetësi, bujqësi, si dhe projekte të tjera në çdo lagje e çdo fshat, pa dallim”, ka shkruar Kastrati.
Projektbuxheti për vitin 2027 ishte prezantuar edhe gjatë dëgjimeve publike të organizuara nga Komuna, ku ishte bërë e ditur se planifikimi buxhetor për vitin e ardhshëm tejkalon 23 milionë euro, ndërsa për investime kapitale ishin paraparë rreth 5.7 milionë euro.
Kastrati ka vlerësuar se miratimi me shumicë votash dëshmon, sipas tij, unitetin politik dhe institucional për zhvillimin e komunës.
“Miratimi me shumicë votash dëshmon unitetin politik e institucional për interesin dhe zhvillimin e komunës së Malishevës”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/