Me një minutë heshtje ka nisur seanca e veçantë e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur në nderim të akademikut Rexhep Qosja, i cili ndërroi jetë më 23 prill në moshën 90-vjeçare.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Qosja ishte zë i qartë kundër shtypjes dhe padrejtësisë dhe se ai e shndërroi kulturën në hapësirë mendimi, polemike dhe përgjegjësie historike.
“Ai ishte zë i qartë kundër shtypjes, kundër padrejtësisë dhe përpjekjeve për mohimin e identitetit tonë kombëtar. Kontributi i tij shtrihet edhe në proceset politike të fundit të shekullit të kaluar kur Kosova kërkonte liri dhe republikë. Rexhep Qosja vuri autoritetin e tij intelektual në shërbim të kësaj të drejte duke artikuluar lirinë e Kosovës si të drejtë historike dhe kauzë që kërkonte konfirmim ndërkombëtar”, tha Haxhiu.
Zëvendëskryeministri Glauk Konjufca e cilësoi Qosjen si një nga figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar.
“Neve shqiptarëve na vdiq Rexhep Qosja. Ai ishte një nga intelektualët, shkrimtarët dhe veprimtarët më të rëndësishëm të kombit tonë. Çdo krijues përshkruhet nga një parim suprem qëllimor. Elani i tij ishte liria kombëtare. Prandaj me të drejtë këto ditë u tha se ai është rilindësi i fundit”, ka theksuar Konjufca.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ne nuk e humbëm vetëm një njeri të dijes, por një institucion të mendimit kritik, duke shtuar se Qosja zgjodhi gjithmonë të vërtetën dhe kujtesën.
“Ne nuk e humbëm vetëm një njeri të dijes, e humbëm një institucion të mendimit kritik. E humbëm një tribun të fjalës së lirë dhe një ndërgjegje që nuk pranonte të heshtte… Në një politikë që shpeshherë kërkonte kompromise, ai zgjodhi të vërtetën. Dhe në këtë shoqëri që shpesh harron, ai zgjodhi kujtesën”, u shpreh Hamza.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, theksoi se Qosja ishte ndër figurat kryesore të mendimit letrar shqiptar.
“Akademik Qosja ishte një intelektual, studiues i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm në debatin publik shqiptar për më shumë se gjysmë shekulli… Veprat e tij shkencore e letrare, me dhjetëra libra e vepra në fusha të ndryshme, përbëjnë një trashëgimi të çmuar për kulturën shqiptare”, tha Lushaku.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qosja nuk mbetet vetëm kujtim, por bëhet vetëdije e gjallë në ndërgjegjen kombëtare.
“Ka njerëz që jetojnë brenda kohës së tyre, por të tretun me kohën. Por ka edhe të tillë që e kanë kapërcyer kohën, që nuk mbeten vetëm kujtim, por bëhen vetëdije, një prani e gjallë në ndërgjegjen e një kombi… Intelektuali dhe shkrimtari i vërtetë nuk është ai që e përshkruan kohën, por ai që ka guximin me folë dhe me e sfiduar kohën”, u shpreh Tahiri.
Akademiku Rexhep Qosja u vlerësua si një nga figurat më të rëndësishme të mendimit dhe kulturës shqiptare, ndërsa në Kosovë 24 prilli ishte shpallur ditë zie në nder të tij. /Telegrafi/