Dorëheqja e ministrit zviceran, Guy Parmelin nga detyra pas 11 vitesh, e që do ndodh në fund të vitit, ka zgjuar debat në skenën zvicerane.
Tashmë, kanë nisur edhe aludimet e para se kush mund ta ketë fatin që ta zëvendësojë Parmelin, por, edhe aludime tjera të tipit, se a i bëri atij presion partia e tij Partia Popullore Zvicerane (SVP), që ai të largohej nga pozita, për të cilën thoshte se nuk do jepte dorëheqje kurrë.
Përgjigjet në disa prej këtyre pyetjeve i ka dhënë njohësi politik, Mark Balsiger, i cili në një prononcim në mediat zvicerane tha se nuk mendon që minstri ishte nën presion për të dhënë dorëheqje.
“Nuk mendoj kështu. Çdo anëtar i Këshillit Federal dëshiron të japë dorëheqjen i vetëm. Secili ka aq shumë ego. Sepse si Këshilltar Federal, ka dy faza të shkurtra që janë më të mirat: ditët pas zgjedhjeve dhe pastaj lamtumira e ngrohtë. Askush nuk dëshiron ta ndajë atë vëmendje” tha Balsiger.
Po ashtu, njohësi komentoi edhe qëndrimet e Guy Parmelin, gjatë konferencës ku paralajmëroi se më nuk do ulet në kolltukun që ia jepte pozitën 11 vjeçare, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.
“Në konferencën për shtyp, ai u shfaq në mënyrën tipike të Parmelinit: vetëpërçmues, me humor dhe i thjeshtë. Pikërisht kështu është bërë një nga Këshilltarët Federalë më të popullarizuar në mesin e publikut vitet e fundit, edhe pse u emërua rastësisht në vitin 2015. Përpara kësaj, ai ishte një deputet i prapaskenës. Parlamenti donte ta përdorte atë për të parandaluar Thomas Aeschi-n, kandidatin kryesor të partisë, të bëhej Këshilltar Federal” theksoi Balsiger.
E kur jemi te mundësitë zëvendësuese, ideja që Parmelin ta zëvendësojë një femër ka nisur të marr zë dhe është përmendur pikërisht Këshilltarja Kombëtare e Gjenevës, Céline Amaudruz, mirëpo, pyetja që u shtrua më pas ishte se nëse Partia Popullore Zvicerane (SVP) frëngjishtfolëse është mjaftueshëm e fortë për të sjellë me sukses një kandidat frëngjishtfolës në ministri.
Në horizont po përmendet edhe një emër tjetër, e që është Esther Friedli, anëtare e Këshillit të Shteteve nga St. Gallen!
Se kush do ta zë këtë pozitë, kjo pritet të kuptohet në vazhdim. /Telegrafi/