Studiuesit e kanë hetuar këtë çështje për shekuj me radhë, por shumë pyetje vazhdojnë të mbeten.
Nga: Sarah Pruitt / History
Përkthimi: Telegrafi.com
Gjatë shekujve, miliarda njerëz e kanë lexuar Biblën. Studiuesit kanë kaluar jetën e tyre duke e studiuar atë, ndërsa rabinët, pastorët dhe priftërinjtë janë përqendruar në interpretimin, mësimin dhe predikimin prej faqeve të saj.
Si tekst i shenjtë për dy nga fetë kryesore të botës, për judaizmin dhe krishterimin – si dhe për besime të tjera – Bibla ka pasur gjithashtu një ndikim të pakrahasueshëm në letërsi – veçanërisht në botën perëndimore. Ajo është përkthyer në afro 700 gjuhë dhe, ndonëse shifrat e sakta të shitjeve janë të vështira për t’u gjetur, konsiderohet gjerësisht si libri më i shitur në botë.
Mirëpo, pavarësisht ndikimit të pamohueshëm të Biblës, misteret vazhdojnë të mbeten rreth origjinës së saj. Edhe pas afro dy mijë vjetëve të ekzistencës së saj dhe shekujve të tërë të hulumtimeve nga studiuesit biblikë, ende nuk e dimë me siguri se kush i shkroi tekstet e saj të ndryshme, kur u shkruan ose në çfarë rrethanash.
Besëlidhja e Vjetër: Teoria e autorit të vetëm
Besëlidhja e Vjetër, ose Bibla Hebraike, rrëfen historinë e popullit të Izraelit përgjatë rreth një mijëvjeçari, duke filluar me krijimin e botës dhe të njerëzimit nga Zoti, ndërsa përmban tregimet, ligjet dhe mësimet morale që përbëjnë bazën e jetës fetare si për hebrenjtë, ashtu edhe për të krishterët.
Për të paktën një mijë vjet, si tradita judaike ashtu edhe ajo e krishterë pohonin se një autor i vetëm i kishte shkruar pesë librat e parë të Biblës – Zanafilla, Eksodi, Levitiku, Numrat dhe Ligji i Përtërirë – të cilët së bashku njihen si Tora (në hebraisht, “udhëzim”) dhe Pentateuk (në greqisht, “pesë dorëshkrime rrotull”). Besohej se ky autor i vetëm ishte Moisiu, profeti hebre që i nxori izraelitët nga robëria në Egjipt dhe i udhëhoqi përmes Detit të Kuq drejt Tokës së Premtuar.
Megjithatë, pothuajse që nga fillimi, lexuesit e Biblës vunë re se në të ashtuquajturit Pesë Libra të Moisiut kishte gjëra të cilat vetë Moisiu nuk mund t’i kishte dëshmuar: për shembull, vdekja e tij ndodh afër fundit të Ligjit të Përtërirë. Një vëllim i Talmudit, përmbledhjes së ligjeve judaike të shkruara midis shekujve III dhe V të erës sonë, e trajtoi këtë mospërputhje duke shpjeguar se Jozueu (pasardhësi i Moisiut si udhëheqës i izraelitëve) ka të ngjarë t’i ketë shkruar vargjet për vdekjen e Moisiut.
“Kjo është një pikëpamje mes shumë të tjerave”, thotë Joel Baden, profesor në Shkollën Teologjike të Jejlit [Yale Divinity School] dhe autor i Përbërja e Pentateukut: Ripërtëritja e hipotezës dokumentare [The Composition of the Pentateuch: Renewing the Documentary Hypothesis]. “Por, ata tashmë po e shtrojnë pyetjen – a ishte e mundur apo jo që [Moisiu] t’i kishte shkruar ato”?
Në kohën kur Iluminizmi filloi në shekullin XVII, shumica e studiuesve fetarë po e vinin më seriozisht në pikëpyetje idenë se Moisiu ishte autori, si dhe idenë se Bibla mund të kishte qenë vepër e një autori të vetëm. Ata pesë librat e parë ishin të mbushur me materiale kontradiktore e përsëritëse dhe shpeshherë dukej se tregonin versione të ndryshme të historisë së izraelitëve – edhe brenda një pjese të vetme të tekstit.
Siç shpjegon Badeni, “shembulli klasik” i kësaj paqartësie është historia e Noas dhe përmbytjes (Zanafilla 6:9). “Lexon më tej dhe thua: nuk e di sa kafshë mori Noa me vete në arkë”, thotë ai. “Në këtë fjali thuhet dy nga çdo kafshë. Në këtë fjali, ai merr dy nga disa kafshë dhe katërmbëdhjetë nga çfarëdo kafshe”. Në mënyrë të ngjashme, teksti e shënon kohëzgjatjen e përmbytjes si 40 ditë në një vend dhe 150 ditë në një tjetër.
Besëlidhja e Vjetër: Shkolla të ndryshme autorësh
Për të shpjeguar kontradiktat, përsëritjet dhe veçoritë e përgjithshme të Biblës, shumica e studiuesve sot pajtohen se tregimet dhe ligjet që ajo përmban u përcollën gojarisht, në prozë dhe poezi, përgjatë shekujve. Duke filluar rreth shekullit VII p.e.s., grupe ose shkolla të ndryshme autorësh i hodhën ato në shkrim në periudha të ndryshme përpara se, në një moment të caktuar (ndoshta gjatë shekullit I p.e.s.), të bashkoheshin në veprën e vetme me shumë shtresa të cilën ne e njohim sot.
Nga tri blloqet kryesore të materialit burimor që, sipas studiuesve, përbëjnë pesë librat e parë të Biblës, i pari besohej se ishte shkruar nga një grup priftërinjsh ose autorësh priftërorë, veprën e të cilëve studiuesit e përcaktojnë me “P”. Një bllok i dytë i materialit burimor njihet si “D” – për Deuteronomistin, që do të thotë autori ose autorët e pjesës dërrmuese të librit të Ligjit të Përtërirë. “Këto të dyja, në të vërtetë, nuk lidhen me njëra-tjetrën në ndonjë mënyrë domethënëse”, shpjegon Badeni, “përveçse që të dyja japin ligje dhe tregojnë një histori të hershme të Izraelit”.
Sipas disa studiuesve, përfshirë Badenin, blloku i tretë kryesor i materialit burimor në Tora mund të ndahet në dy shkolla të ndryshme, njëlloj koherente, të emërtuara sipas fjalës që secila përdor për Perëndinë: Yahvei dhe Elohim. Tregimet që përdorin emrin Elohim klasifikohen si “E”, ndërsa të tjerat quhen “J” (për Jahvei, përkthimi gjerman i Yahweh). Studiues të tjerë nuk pajtohen se ekzistojnë dy burime të plota për materialin jopriftëror. Në vend të kësaj, thotë Badeni, ata shohin një proces shumë më gradual në të cilin materiale nga burime të shumta më të vogla u shtresëzuan së bashku gjatë një periudhe më të gjatë kohore.
Besëlidhja e Re: Kush i shkroi Ungjijtë?
Ashtu siç Besëlidhja e Vjetër bën kronikë për historinë e izraelitëve gjatë afërsisht një mijëvjeçari që çon deri te lindja e Jezu Krishtit, Besëlidhja e Re shënon jetën e Jezuit nga lindja dhe mësimet e tij deri te vdekja dhe ringjallja e mëvonshme – një rrëfim që përbën bazën themelore të krishterimit. Duke filluar rreth vitit 70 të erës sonë, afërsisht katër dekada pas kryqëzimit të Jezuit (sipas Biblës), u shfaqën katër kronika të jetës së tij, të shkruara në mënyrë anonime, të cilat do të bëheshin dokumente qendrore të besimit të krishterë. Të emërtuara sipas dishepujve tokësorë më të përkushtuar të Jezuit, ose apostujve – Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit – katër Ungjijtë kanonikë tradicionalisht mendohej se ishin rrëfime të dëshmitarëve okularë për jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit.
Por, për më shumë se një shekull, studiuesit përgjithësisht janë pajtuar se Ungjijtë, ashtu si shumë prej librave të Besëlidhjes së Re, në të vërtetë nuk u shkruan nga njerëzit të cilëve u atribuohen. Në fakt, duket qartë se tregimet që përbëjnë bazën e krishterimit fillimisht u përcollën gojarisht dhe kaluan nga brezi në brez, përpara se të mblidheshin dhe të hidheshin në shkrim.
“Emrat u janë bashkëngjitur titujve të Ungjijve (“Ungjilli sipas Mateut”)”, shkruan studiuesi i Biblës, Bart Ehrman, në librin e tij Jezui, i penguar [Jesus, Interrupted]. “Por, këta tituj janë shtesa të mëvonshme në Ungjij, të vendosura nga redaktorët dhe skribët për t’i informuar lexuesit se cilët mendonin redaktorët se ishin autoritetet që qëndronin pas versioneve të ndryshme”.
Tradicionalisht, 13 nga 27 librat e Besëlidhjes së Re i atribuoheshin Apostullit Pal, i cili, siç dihet, u kthye në krishterim pasi takoi Jezuin në rrugën për në Damask dhe shkroi një varg letrash që ndihmuan në përhapjen e besimit në të gjithë botën mesdhetare. Por, studiuesit tani pajtohen për autenticitetin e vetëm shtatë prej letrave të Palit: Romakëve, 1 dhe 2 Korintasve, Galatasve, Filipianëve, 1 Selanikasve dhe Filemonit. Besohet se këto janë shkruar midis viteve 50-60 të erës sonë, duke i bërë ato të jenë dëshmia më e hershme të njohur për krishterimin. Autorët e letrave të mëvonshme mund të kenë qenë ndjekës të Palit, të cilët përdorën emrin e tij për t’u dhënë autenticitet veprave.
Deri në shekullin IV të erës sonë, krishterimi ishte vendosur si feja mbizotëruese në botën perëndimore, ndërsa Besëlidhja e Re dhe Besëlidhja e Vjetër si tekstet e saj më të shenjta. Në shekujt që do të pasonin, Bibla vetëm sa do të bëhej më qendrore në jetën dhe besimin e miliona njerëzve në mbarë botën – pavarësisht misterit që rrethon origjinën e saj dhe debatit të vazhdueshëm e kompleks mbi autorësinë e saj. /Telegrafi/