Portieri i Spanjës, Unai Simon, mbush sot 29 vjeç dhe vazhdon të jetë zgjedhja e parë e përzgjedhësit Luis de la Fuente sa i përket portës së “Stuhisë së Kuqe”.
Edhe pse muajt e fundit janë ngritur diskutime nga jashtë për konkurrencën në portë, brenda kombëtares spanjolle nuk ka pasur asnjëherë dyshime se gardiani i Athletic Bilbaos mbetet numri një.
De la Fuente e bëri të qartë edhe gjatë qëndrimit të ekipit në Puebla të Meksikës, kur u pyet sërish për pozicionin e portierit, pasi të ftuar janë edhe David Raya dhe Joan Garcia, dy portierë statues te klubet gjigante si Arsenal dhe Barcelona.
“Vendimi për portierin është marrë kohë më parë”, deklaroi përzgjedhësi spanjoll, duke iu referuar një zgjedhjeje që daton që nga qershori i vitit 2023.
Besimi i plotë i De la Fuentes
Kur De la Fuente mori drejtimin e Spanjës, Simón ishte i dëmtuar dhe vendin e titullarit e mbante Kepa Arrizabalaga. Megjithatë, pas rikthimit të portierit bask për fazën finale të Ligës së Kombeve në vitin 2023, përzgjedhësi vendosi t’i besojë atij portën e “La Roja”.
Që nga ai moment, asgjë nuk ka ndryshuar. Simón është shndërruar në një nga liderët e skuadrës, duke mbajtur rolin e zëvendëskapitenit dhe duke qenë një prej figurave më të rëndësishme në dhomat e zhveshjes.
Paraqitjet e tij kanë qenë vendimtare në sukseset e fundit të Spanjës, veçanërisht në triumfin në Ligën e Kombeve dhe në Kampionatin Evropian, ku ai ishte një nga lojtarët më të spikatur të ekipit.
Debati i krijuar nga jashtë
Shfaqja e talentit Joan García dhe transferimi i tij te Barcelona nxiti diskutime në mediat spanjolle për një konkurrencë të mundshme në portë. Forma e jashtëzakonshme e David Raya me Arsenalin, po ashtu shtoi diskutimet.
Megjithatë, sipas raportimeve nga kampi spanjoll, përzgjedhësi De La Funte nuk e ka vënë kurrë në dyshim statusin e Simonit.
Në mars, De la Fuente thirri katër portierë në kombëtare, duke përfshirë Joan Garcían, por kjo nuk ndryshoi hierarkinë e vendosur prej kohësh. Brenda ekipit kombëtar ka qenë gjithmonë e qartë se Unai Simón mbetet zgjedhja e parë.
De la Fuente gjithmonë mburret për cilësinë e portierëve të tij dhe kërkon që David Raya të merret në konsideratë, por zgjidhja e parë nuk ndryshon.
Tani, portieri nga Álava po përgatitet për Kupën e tij të dytë të Botës. Ai do të bëhet vetëm portieri i tretë i Athletic Bilbaos që mbron portën e Spanjës në më shumë se një Kampionat Botëror, duke iu bashkuar emrave legjendarë si Andoni Zubizarreta dhe Iker Casillas.
Me 60 paraqitje të afërta për kombëtaren që nga debutimi i tij në vitin 2020, Simón vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të Spanjës dhe, sipas stafit teknik, nuk ka pasur kurrë një debat real për vendin e tij në formacion. /Telegrafi/
