Ish-kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Shemsi Jashari, ka folur për procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të kësaj partie, duke theksuar se gara duhet të jetë e hapur dhe të mos ketë emra të paracaktuar.
Në një intervistë në “Edicionin Special” në Klan Kosova, Jashari ka thënë se PDK-ja ka kuadro të mjaftueshme për të nxjerrë një lidership të ri, ndërsa ka vlerësuar se procesi i brendshëm duhet t’u japë mundësi të barabarta të gjitha figurave që synojnë drejtimin e partisë.
“Partia Demokratike ka fatin që ka kuadro të mjaftueshme. Nuk kufizohet me një njeri, nuk është parti e një njeriu, ku gjithçka varet prej tij. Dorëheqja e tij i ka hapur rrugë një procesi tashmë të nevojshëm edhe me statut, që të shkojë në zgjedhje të brendshme. Ky process zgjedhor do ta zgjedh edhe atë strukturën përfaqësuese në nivel të degëve, por edhe strukturën e lidershipit në nivelin qendror”.
“Tani për tani nuk ka një emër të paracaktuar se kush duhet të jetë, që mendoj që është shumë e mirë, për faktin që kur loja dihet ende pa filluar, atëherë pse ka nevojë të bëhet garë. Është dhënë një mundësi e mirë që brenda Partisë Demokratike, të gjitha figurat që kanë ambicie politike dhe vullnet për angazhim politik ta gjejnë veten brenda një gare të barabartë”, ka deklaruar Jashari./Klankosova.tv

