Më 9 nëntor, treni i vetëm që operoi në Kosovë ndali qarkullimin.
Një ditë më vonë, në Paris, kryeministri Albin Kurti foli për “projekte të mëdha hekurudhore”.
Kryeministri përmendi projektet infrastrukturore, duke veçuar hekurudhat dhe digat.
Sipas tij, pas përfundimit të procesit të konstituimit të institucioneve, vendi ka hyrë në një periudhë stabiliteti që duhet të shfrytëzohet për projekte të mëdha.
“Herën e parë, nuk u lejua konstituimi i Kuvendit, herën e dytë nuk u lejua zgjedhja e presidentit, ndërkaq pas herës së tretë e kemi konstituuar edhe Kuvendin edhe e kemi zgjedhur Qeverinë, edhe e kemi zgjedhur presidenten e re. Kemi stabilitet të plotë institucional 4 vite përpara, kemi shumë projekte përpara, sikurse ato infrastrukturore për hekurudha dhe për diga”, tha kryeministri i Kosovës, raporton Nacionale.
Më 9 nëntor, treni i vetëm që operon në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë ndërpreu qarkullimin.
Shkak u bë greva e paralajmëruar nga organizatat sindikale të Infrakos-it, ndërmarrjes përgjegjëse për menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore.
“Ndërmarrja Publike Trainkos Sh.A. njofton udhëtarët se, bazuar në njoftimet për grevë të organizatave sindikale të Infrakos (menaxheri i infrastrukturës), më 9 nëntor 2026 mund të ketë ndryshime në qarkullimin e trenave: • Treni nr. 4201, i cili niset nga Prishtina në orën 07:50, do të ndërpresë qarkullimin në Fushë Kosovë, pasi në orën 08:00 Infrakos ndalon ofrimin e shërbimeve ndaj nesh si klient i tyre. • Pas këtij treni, për shkak të ndërprerjes së shërbimeve infrastrukturore, të gjithë trenat e tjerë do të pushojnë së qarkulluari deri në normalizimin e situates”, u tha në njoftim.

