KORREKT / SOT9 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kurti tha se 171 mjekë u kthyen në Kosovë brenda vitit 2025, por e përmirëson Ministria e Shëndetësisë: 171 profesionistë shëndetësorë, jo vetëm doktorë

Kurti tha se 171 mjekë u kthyen në Kosovë brenda vitit 2025, por e përmirëson Ministria e Shëndetësisë: 171 profesionistë shëndetësorë, jo vetëm doktorë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se pas dukurisë së “ikjes së trurit”, vitet e fundit Kosova po përballet me dukurinë e kundërt, atë të “kthimit të trurit”, duke theksuar se vetëm gjatë vitit 2025 në Kosovë janë kthyer 171 mjekë për të jetuar dhe punuar.

Kurti i bëri këto deklarata në hapjen e edicionit të katërt të “Swiss Medical School”, ku ka thënë se mjekët shqiptarë që punojnë jashtë vendit po vazhdojnë të kontribuojnë edhe në Kosovë përmes ligjëratave, trajnimeve dhe punës së përbashkët me ekipet shëndetësore vendore.

“Të gjithë jemi të brengosur me atë që quhet në mënyrë të popullarizuar, por me dhembje, ‘ikje e trurit’, edhe mjekët edhe infermierët tanë që lëshojnë atdheun dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, posaçërisht në Evropën Perëndimore. Por viteve të fundit e kemi dukurinë e cila është e kundërta e saj, drejtimi i njëjtë, por kahja e kundërt, ‘kthimi i trurit’”, tha Kurti.

Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë janë kthyer për të jetuar dhe punuar në Kosovë.

“E mirëpresim ata që vendosin të jetojnë e të punojnë këtu dhe çmojmë kontributin e kolegëve që vazhdojnë të punojnë jashtë vendit, por herë pas here kthehen në vendlindje për të ligjëruar, për të trajnuar mjekë të rinj ose për të punuar krahas ekipeve tona. Ky takim është shembull i një bashkëpunimi të tillë”, ka thënë ai.

Në lidhje me këtë, sot ka reaguar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Durim Elshani.
Elshani ka thënë se nga këta 171 profesionistë shëndetësore shqiptar, 12 janë me nënshtetësi të Kosovës, që pas përfundimit të specializimit në vendet evropiane janë kthyer për të punuar në Kosovë, ndërsa 159 të tjerë janë profesionistë shëndetësorë shqiptarë me nënshtetësi të huaj ose me dy nënshtetësi, të cilët janë pajisur me licencë nga Bordi për Shkollim Specialistik për të punuar dhe vepruar në Republikën e Kosovës.

Sipas tij, gjithsej janë 171 profesionistë shqiptarë që kanë zgjedhur të kthehen dhe të punojnë në Kosovë dhe që tashmë janë pajisur me licencat përkatëse për ta ushtruar profesionin e tyre.

“Për korrektësi, viti 2025, sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve të Kosovës, shënon numrin më të ulët ndër vite, gjithsej 95, të profesionistëve shëndetësorë që kanë kërkuar nga Oda e Mjekëve dokumentet e nevojshme për të aplikuar për punë në vendet evropiane. Kjo shënon një ulje signifikante nga vitet më herët. Për shembull, në vitin 2022, sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve të Kosovës, kanë qenë 211 profesionistë shëndetësorë që kanë kërkuar këto dokumente. Një pjesë e tyre, pavarësisht se i kanë marrë dokumentet, nuk do të thotë se domosdoshmërisht janë pajisur me licenca në vendet evropiane apo se janë larguar nga Kosova. Kurse kemi edhe raste që kanë marrë pushim pa pagesë dhe pas një kohe të shkurtër të punës në vendet evropiane janë kthyer sërish në Republikën e Kosovës”, ka thënë Elshani.

Në lidhje me këtë deklaratë të Kurti ka pasur reagime të shumta.

Përfaqësuesit e studentëve të mjekësisë e kanë cilësuar këtë pretendim si të shkëputur nga realiteti i përditshëm me të cilin përballen mjekët e rinj në Kosovë, transmeton lajmi.net.

Kryetari i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Besfort Racaj, përmes një reagimi publik ka sfiduar drejtpërdrejt kryeministrin Kurti duke kërkuar argumente zyrtare për shifrat e prezantuara.

Racaj ka bërë të ditur se institucionalisht u ishte dhënë afat krerëve të Qeverisë deri më 6 nëntor për një takim ku do të trajtoheshin kërkesat e tyre, mirëpo Kryeministri, Ministri i Arsimit dhe ai i Financave kishin zgjedhur heshtjen.

Sipas tij, ftesa e vetme kishte ardhur nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, por vetëm pasi tashmë ishte shpallur ai që e quajti “konkurs i imponimit”.

Racaj kritikon këtë konkurs se nuk reflekton nevojat reale të sistemit shëndetësor dhe i detyron mjekët e rinj të zgjedhin mes specializimeve të imponuara, pritjes pa siguri ose përgatitjes së dokumentacionit për t’u larguar drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera.

Për t’iu kundërvënë deklaratave zyrtare për “kthim të trurit”, përfaqësuesi i studentëve ka rikujtuar statistikat alarmuese të largimit të profesionistëve.

Ai ka theksuar se vetëm gjatë periudhës 2021–2026, mbi 650 mjekë kanë tërhequr dokumentacionin nga Oda e Mjekëve të Kosovës me qëllim punësimin jashtë vendit.

“Pikërisht sot, Kryeministri që hezitoi të na priste në takim, u paraqit papritur para qindra mjekëve të rinj dhe studentëve të mjekësisë. Jo për të na treguar se çfarë po bën Qeveria për kërkesat tona, por për të deklaruar se me qeverisjen e tyre truri po ‘KTHEHET’ në Kosovë. Kryeministër, duket se keni zgjedhur publikun e gabuar për t’i hedhur hi syve! Në atë sallë, thuajse çdo i dyti ka nisur ose planifikon të regjistrohet në kursin e gjuhës gjermane,” është shprehur Racaj.

Duke e përmbledhur reagimin me pyetjen e drejtpërdrejtë “Unë e argumentoj ikjen. Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?”, Racaj ka paralajmëruar se mjekët e rinj nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre për kushte dinjitoze profesionale.

Përfaqësuesit e mjekëve të rinj kanë njoftuar se më 13 nëntor do të paraqiten pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar me ngulm përmbushjen e kërkesave të tyre, duke nëvizuar se dinjiteti i profesionistëve shëndetësorë është i panegociueshëm. /Lajmi.net/

 

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.