Në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit, sonte në Shën Stefan në Mal të Zi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se Kurti ka theksuar që me institucione plotësisht funksionale, siç thuhet në njoftim, Kosova do t'i përshpejtojë reformat.
Ai është shprehur se javën e kaluar Kuvendi miratoi ligjin e fundit për integrim në SEPA, që siç thuhet në njoftim “do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, ndërsa shtoi se së shpejti fillojnë negociatat për “Roam like at Home” për t’ju bashkuar zonës pa tarifa shtesë”.
“Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, tha ai.
“Në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia”, thuhet në njoftim.

