Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin e Shtetit të Irlandës për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, në margjina të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.
Sipas njoftimit, Kurti e falënderoi Byrne për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës për Kosovën, si dhe për kontributin e saj në sigurinë e vendit përmes misionit të KFOR-it.
Ai theksoi se më shumë se 3 mijë pjesëtarë të ushtrisë irlandeze kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, ndërsa mbi 1 mijë refugjatë shqiptarë nga lufta e Kosovës kishin gjetur strehim në Irlandë, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe hapat e nevojshëm për avancimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kurti theksoi rëndësinë e muajit nëntor, duke shprehur pritjen që Raporti i Komisionit Evropian të pasqyrojë progresin e arritur nga Kosova dhe që ky progres të konkretizohet përmes marrjes së pyetësorit të Komisionit Evropian.

