Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée në Paris.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e reja të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, integrimin euroatlantik të Kosovës dhe sigurinë në rajon.
Ai ka theksuar rëndësinë e mbështetjes franceze për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, veçanërisht për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
“Franca ka qenë aleate e fuqishme e Kosovës që nga lufta jonë për çlirim dhe pavarësi dhe mbetet partnere e afërt dhe e rëndësishme e vendit tonë”, ka shkruar Kurti.
Në takim, sipas Kurtit, është diskutuar edhe iniciativa e presidentit Macron për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që lidhen me përdorimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë.
Kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se ka shprehur vlerësimin e tij për këtë nismë, e cila ishte në qendër të Forumit të Paqes në Paris këtë vit.
Ai ka theksuar se Kosova i është bashkuar Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve, që synon mbrojtjen e mirëqenies, të drejtave dhe të ardhmes së brezave të rinj.
Në fund, Kurti ka deklaruar se Kosova dhe Franca do të vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e paqes, zhvillimit ekonomik dhe integrimit në një të ardhme të përbashkët evropiane.

