Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për vizitën e tij në Pallatin e Versajës në Francë, duke përshkruar përshtypjet nga arkitektura, sallonet, Galeria e Pasqyrave dhe kopshti i këtij kompleksi historik.
Kurti tha se vizitat me protokoll në muze kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre, pasi mundësojnë qasje në disa pjesë pa pritur në radhë, por kufizojnë kohën e qëndrimit.
“Vizitat me protokoll nëpër muze, kësaj here Versaja, kanë të mirën e të keqen e tyre. Ke fatin të vizitosh disa pjesë të Versajës pa pritur radhën e gjatë, por edhe vizita zgjat jo më shumë se një orë. E Versaja nuk është soditja e një ore”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
Ai shkroi se kopshti i Versajës shtrihet deri në horizont, por vizita sipas protokollit nuk përfshin ecjen nëpër të.
Duke përshkruar arkitekturën dhe hapësirat e brendshme të pallatit, Kurti shkroi se Versaja ka një “brendësi gjeometrie të thyer”, ndërsa kopshtin e saj e ka cilësuar si “mozaik bimësie dhe guri”.
Sipas tij, ciceroni njeh çdo detaj të pallatit mbretëror, ndërsa vizitorët kalojnë nga dhomat e zakonshme në hapësira të papritura, dhoma të verbëra dhe në fund në sallone monumentale.
“Diku, aty ku ngushtësia është intimitet, madhështia është dekor. Diku ku sundojnë vetmia dhe sekreti, është lavdia e mekanikës që deklarohet nëpër orët dhe barometrat skulptura”, ka shkruar ai.
Kurti ka përmendur edhe historinë e mbretërve francezë, duke thënë se në disa kënde të pallatit kuptohet “ndrydhja e shtypja e padrejtë në histori të Luigjit XV nga ata dy të tjerët: XIV dhe XVI”.
Ai ka veçuar edhe tryezën e punës ku mbreti nënshkruante aktet, duke e përshkruar si një vepër të mjeshtërisë mekanike dhe të ebenistit.
“Një çelës i vetëm mbyll tërë pjesët, sirtarët dhe raftet e tryezës së punës”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se periudha të ndryshme historike bashkohen në vepra arti, në një kohë kur ndër gjërat më të shtrenjta ishin dylli i qiririt dhe pasqyrat e zakonshme.
Në pjesën tjetër të postimit, kryeministri e ka lidhur Versajën me një periudhë të re historike, atë të emancipimeve dhe Iluminizmit.
“Versaja njofton hyrjen në një kohë tjetër, në epokën e emancipimeve dhe Iluminizmit. Galeria e pasqyrave nuk mbart sekrete, por vetëm shkëlqim: triumfi i ndriçimit dhe reflektimit, i tavanit mbi të cilën qëndron një epope imazhesh, i vështrimit mbi perspektivën e kopshtit që përqendrohet rreth fontanave”, ka shkruar Kurti.
Ai ka treguar se kopshtin e Versajës e ka parë vetëm nga dritaret e Galerisë së Pasqyrave, pasi protokolli nuk përfshinte vizitën në të. Sipas tij, mjegulla e fshihte horizontin dhe qielli ishte i vrenjtur, duke e bërë Versajën të dukej e ftohtë në kopsht dhe e dendur në brendësi.
Në fund, Kurti ka vënë në pah praninë e vizitorëve nga kultura dhe vende të ndryshme të botës në muze, duke e cilësuar Versajën si një hapësirë që bashkon njerëz me histori të ndryshme.
“Ashtu si në muzetë e tjerë madhështorë të globit, vështrimet që kundrojnë veprat vijnë prej kulturave më të larmishme, hapat që rendin nëpër salla vijnë nga cepat më të largët e nga historitë më të pangjashme”, ka shkruar ai.
“Madhështi e ndalur e Versajës bashkon njerëz që nuk do të ishin gjendur kurrë në të njëjtin vend, në të njëjtin çast pa arsyen e Parisit të ekspozitave universale”, ka përfunduar Kurti.

