KORREKT / SOT31 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kurti pas fitores së studentëve në Serbi: Shpresojmë që Beogradi ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në Luginë

Kurti pas fitores së studentëve në Serbi: Shpresojmë që Beogradi ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në Luginë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shpresën se ndryshimi i pushtetit në Serbi, pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e 25 tetorit, do të sjellë edhe një qasje të re të Beogradit ndaj Kosovës.

Duke folur në mbledhjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë se ende nuk është e qartë se kush do ta marrë drejtimin e institucioneve në Serbi, ndonëse tashmë dihet se partia e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq ka humbur pushtetin, transmeton lajmi.net.

“Ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, si rezultat i këtyre zgjedhjeve, por ende nuk e dimë saktë kush e ka fituar atë”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se pret që ndryshimet politike në shtetin fqinj të reflektohen edhe në raportet me Kosovën, përfshirë qëndrimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si komunitet i diskriminuar”, ka deklaruar kryeministri.

Në zgjedhjet e mbajtura më 25 tetor, Lista Studentore mori 52.54 për qind të votave, duke lënë pas Partinë Progresive Serbe të Vuçiqit, e cila siguroi 39.29 për qind. Ky rezultat i dha fund qeverisjes 14-vjeçare të Vuçiqit, i cili e pranoi humbjen pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Megjithatë, ende nuk dihet se kush do të jetë kandidati i Listës Studentore për kryeministër. Lëvizja pritet ta formojë e vetme qeverinë e re, por deri më tani nuk ka prezantuar një program të detajuar qeverisës.

Sa i përket Kosovës, përfaqësuesit e saj kanë deklaruar se do të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe do të respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare të arritura gjatë qeverisjes së mëparshme.

Por, qëndrimet e shprehura publikisht nga kjo lëvizje para zgjedhjeve kanë lënë të kuptohet se ajo nuk ka ndryshuar domosdoshmërisht qëndrimin tradicional të Beogradit për statusin e Kosovës, të cilën Serbia vazhdon ta konsiderojë pjesë të territorit të saj.

Kurti, ndërkaq, ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të arrihet pa ballafaqim me të kaluarën dhe pa trajtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Ballafaqimi me të kaluarën, denazifikimi i diskursit politik, dekriminalizimi institucional dhe demokratizimi i brendshëm duhet të krijojnë kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët”, ka thënë ai.

Kryeministri ka vënë theks të veçantë te zbardhja e krimeve ndaj civilëve shqiptarë, identifikimi i varrezave masive dhe gjetja e personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Sipas tij, këto çështje nuk janë vetëm kërkesa politike, por detyrime ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

“Pa të vërtetën për të kaluarën, nuk mund të ndërtohet besimi për të ardhmen. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e bashkëpunim, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Prandaj, shpresojmë që zhvillimet e reja të hapin rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkohë, ai nuk është ndalur te mundësia e rifillimit të dialogut në nivel të lartë politik në Bruksel, proces i cili ka mbetur i bllokuar gjatë viteve të fundit.

Më herët, Kurti kishte kushtëzuar vazhdimin e dialogut në këtë nivel me dorëzimin nga Serbia të Milan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023.

Gjatë këtij sulmi, në veri të Kosovës, u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë. Kosova ka akuzuar Serbinë për përfshirje në këtë sulm, pretendim të cilin Beogradi e ka mohuar./lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.