Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në buxhetin e vitit 2027 do të përfshihen linjat e nevojshme për mbështetjen financiare të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
I pyetur për buxhetin që do të ndahet për këtë mbështetje, Kurti ka thënë se fillimisht duhet të hartohet strategjia shtetërore, e më pas të përcaktohen kostot financiare për zbatimin e saj.
“Së pari ne kemi afatin deri më 31 tetor që ta votojmë në Qeveri buxhetin për vitin 2027. Këtë do ta bëjmë dhe natyrisht që aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe për mbështetjen financiare për katër ish-krerët e UÇK-së”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se përcaktimi i kostove duhet të bëhet pasi të qartësohen mekanizmat dhe masat që do të përmbajë strategjia.
“Së pari duhet strategjia shtetërore, dhe më pastaj kostot. Njëherë vjen ideja, mekanizmat dhe masat e më pastaj edhe kosto e tyre. Jo kosto, para mekanizmave e vizionit”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka thënë se grupit punues, i cili është themeluar për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë, duhet t’i lihet hapësirë që ta kryejë punën e tij dhe të dalë me propozimet konkrete.
Sipas tij, grupi do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të përfshijë përfaqësues nga ministritë përkatëse, Presidenca, Zyra e Kryeministrit, Kryesia e Kuvendit dhe grupet parlamentare.
“Qëllimi ynë është që njëmend të jetë strategji shtetërore, dhe pastaj veprimet e caktuara do të kenë kosto dhe do të mbështeten nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.
Kurti ka bërë të ditur se grupi punues do ta informojë një herë në muaj, duke theksuar se për momentin nuk duhet të paragjykohet rezultati i punës së tij apo masat që do të ndërmerren në muajt e ardhshëm. /Lajmi.net/

