Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shtesat për fëmijë do të rriten gradualisht në katër faza, me synimin që deri në janar të vitit 2030 të dyfishohen.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka deklaruar se rritja e parë prej 25 për qind do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa tri fazat e tjera do të zbatohen në fillim të viteve 2028, 2029 dhe 2030.
Sipas tij, kjo rritje është paraparë dhe buxhetuar në përputhje me zotimin për dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit qeverisës.
“Pra, nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25 për qind, pastaj edhe më 1 janar të vitit 2028 përsëri 25 për qind, në janar 2029 përsëri 25 për qind dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale, duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka dhënë edhe shembuj konkretë të përfitimeve për familjet pas rritjes së parë. Një familje me dy fëmijë, që aktualisht merr 60 euro në muaj, nga janari i vitit 2027 do të përfitojë 75 euro, ndërsa një familje me katër fëmijë, që merr 180 euro, do të përfitojë 225 euro.
Kurti ka theksuar se rritja do të vazhdojë çdo vit, deri në dyfishimin e shumës aktuale të shtesave.
Në të njëjtën mbledhje, kryeministri ka folur edhe për mbështetjen financiare lidhur me çështjen e katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Ai ka bërë të ditur se është paraparë një ndarje buxhetore, sipas kërkesës së paraqitur nga ekipet mbrojtëse.
“Sigurisht që për pjesën tjetër të angazhimit dhe mbështetjes, e presim edhe strategjinë nga grupi punues, i cili kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca”, ka deklaruar Kurti./Telegrafi/

