Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët që të enjten votuan në lexim të dytë ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Terrorizmit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se miratimi i këtij ligji i mundëson Kosovës të përmbushë kushtin e fundit për integrimin në sistemin evropian të pagesave SEPA (Single Euro Payments Area), transmeton Zeri.info.
Sipas tij, ky integrim do të mundësojë transferta bankare me kosto dukshëm më të ulët, duke u kursyer qytetarëve, bizneseve dhe mërgatës rreth 58 milionë euro në vit nga tarifat.
“Miratimi i këtij ligji i mundëson Kosovës të plotësojë edhe kushtin e fundit për t’u integruar në sistemin evropian të pagesave SEPA”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se përfitimet nga ky proces do të ndihen te qytetarët, bizneset dhe bashkatdhetarët që dërgojnë para në Kosovë. /Zëri

