Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është drejtuar sërish kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, me ftesë për takim, duke përsëritur edhe ofertën për një marrëveshje rreth pozitave drejtuese në Kuvend.
Në letrën e dërguar më 7 gusht, Kurti ka shprehur habinë për refuzimin e takimit nga Hamza, duke argumentuar se çështjet që lidhen me formimin e institucioneve duhet të diskutohen drejtpërdrejt.
“Ju faleminderit për përgjigjen e sotme. Më duhet ta pranoj se nuk po e kuptoj pse të mos takohemi dhe t’i bisedojmë shumë gjëra shtruar për hir të institucioneve të Republikës dhe interesit të qytetarëve. Komunikimi ynë duhet të jetë politik e kolegial nga afër dhe jo vetëm zyrtar e me letra nga larg”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se e respekton vendimin e PDK-së për të vepruar si parti opozitare, por ka insistuar se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit duhet të trajtohen si procese që kërkojnë bashkëpunim ndërmjet partive.
“E respektoj pozicionin tuaj për të mbetur në opozitë. Mirëpo, edhe konstituimin e Kuvendit edhe zgjedhjen e Presidentit/es të ri/e duhet ta bëjmë të gjithë bashkë siç e kërkon kushtetutshmëria të cilës iu betuam si deputetë të rinj dje”, ka deklaruar ai.
Kreu i LVV-së ka komentuar edhe gatishmërinë e PDK-së për të kontribuar në konstituimin e Kuvendit, duke thënë se kjo mund të bëhet përmes votimit për presidentin e ri.
“Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e Presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të parakohshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit”, ka shkruar Kurti.
Në këtë kuadër, Kurti ka përsëritur ofertën për rokadë ndërmjet pozitës së kryetarit dhe asaj të nënkryetarit të Kuvendit.
“Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për President/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne. Ky do të ishte një kontribut i juaji me përfitim për PDK-në: udhëheqjen e njërës nga tri pozitat e larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e Kurtit.
Në fund, ai ka lënë sërish të hapur mundësinë për takim me kryetarin e PDK-së.
“Kurdo që mendoni se mund të takohemi, më lajmëroni menjëherë”, ka shkruar Kurti.
Ndërkaq, Hamza, në përgjigjen e tij drejtuar Kurtit, ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së se do të veprojë në opozitë.
“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Hamzës. /Telegrafi/
