Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, duke e ftuar në një takim për të diskutuar konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.
Në letrën drejtuar Gjinit, Kurti ka uruar deputetët e Aleancës për dhënien e betimit, ndërsa ka theksuar nevojën për bashkëpunim ndërmjet forcave politike për zgjedhjen e Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, Qeverisë dhe Presidentit.
“Konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të (zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit, zgjedhja e Qeverisë dhe e Presidentit) kërkon bashkëveprim e bashkërendim të të gjithë neve. Pluralizmi politik në demokraci është konkurrencë me bashkëpunim”, ka shkruar Kurti.
Ai ka propozuar që takimi të mbahet të premten në orën 16:00 në Zyrën e Kryeministrit, ndërsa ka ofruar edhe mundësinë që të udhëtojë në Gjakovë për takim me Gjinin.
“Andaj ju ftoj që të takohemi sot pasdite në ora 16:00 në Zyrën e Kryeministrit. Po ashtu, në mbrëmje mund të vij unë në Gjakovë”, ka shkruar Kurti.
Megjithatë, Gjini e ka refuzuar ftesën, duke thënë se qëndrimet e Aleancës lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit janë bërë të ditura më herët.
“Qëndrimet e Aleancës dhe të miat në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit janë bërë të qarta më shumë se një herë. Jam i bindur se ju i dini ato, prandaj nuk shoh asnjë nevojë që të takohemi për këtë çështje”, ka deklaruar Gjini.
Kreu i Aleancës ka thënë se, ndonëse pajtohet se demokracia kërkon bashkëpunim, nuk pajtohet me rrugën politike të Kurtit.
“Edhe pse pajtohem se demokracia kërkon bashkëpunim, jam thellësisht i bindur se rruga që ju po e ndiqni është e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën. Shpresoj që këtë ta kuptoni edhe vetë”, ka shkruar ai.
Në fund të përgjigjes, Gjini ka shprehur dyshimin se ftesa e Kurtit mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për të krijuar një narrativë për mungesë bashkëpunimi nga opozita.
Kurti pas takimit me Abdixhikun: Kemi dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së

“P.S. këtë mesazh po e kuptoj si tendencë për të rradhitur ftesa për takim dhe për ta konsumuar hapësirën për fajësim për mosbashkëpunim”, ka shkruar Gjini.
Kurti, ndërkaq, në letrën e tij ka thënë se Vetëvendosje mbetet e gatshme për komunikim dhe bashkëpunim me Aleancën.
“Mund të llogarisni çdo herë në komunikim të rregullt dhe bashkëpunim kolegial me ne për të mirën e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/
