Hulumtimi i publikuar në “Hormones and Behavior” nxjerr në pah lidhjen mes ciklit menstrual, ditëve të javës dhe dëshirës për marrëdhënie intime
Sa herë që flitet për marrëdhëniet intime, shpesh përsëritet bindja se dëshira mashkullore është pothuajse gjithmonë e njëjtë, ndërsa ajo e grave është më komplekse dhe ndikohet nga shumë faktorë. Pikërisht këtë përpiqen të shpjegojnë edhe studimet e fundit shkencore, të cilat tregojnë se libidoja femërore ndryshon jo vetëm sipas hormoneve, por edhe sipas ritmit të jetës së përditshme.
Ekspertët theksojnë se dëshira seksuale te gratë nuk funksionon si një “ndezje e menjëhershme”, por ndikohet nga gjendja emocionale, stresi, lodhja, hormonet, marrëdhënia në çift dhe shumë elemente të tjera të përditshmërisë.
Në qarqet shkencore prej kohësh dihet se libidoja femërore bie gradualisht me kalimin e viteve, sidomos pas menopauzës. Megjithatë, studimet më të reja tregojnë se gjatë ciklit menstrual ekzistojnë periudha kur dëshira për intimitet rritet ndjeshëm.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Hormones and Behavior, dhe të cituar nga “The Guardian”, gratë kanë dëshirë më të madhe për marrëdhënie intime menjëherë pas menstruacioneve dhe gjatë ditëve fertile, transmeton Telegrafi.
Shkencëtarët thonë se pikërisht në këtë periudhë organizmi përjeton ndryshime hormonale që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e dëshirës seksuale. Për shumë gra, ky rezultat nuk ishte befasi, pasi përputhet me përvojat që ato e ndiejnë natyrshëm.
Por studimi zbulon edhe diçka tjetër interesante: rëndësi ka edhe dita e javës.
Hulumtimi, i realizuar te gra beqare dhe gra në lidhje afatgjata, tregoi dallime të dukshme në zakonet intime. Gratë beqare kishin më shumë gjasa të preferonin marrëdhënie intime në fillim ose në mes të javës, veçanërisht të hënën dhe të mërkurën.
Në anën tjetër, gratë që janë në lidhje serioze ose martesë preferonin më shumë fundjavën, sidomos të premten dhe të shtunën, kur stresi i javës zakonisht është më i ulët dhe ka më shumë kohë për relaksim.
Ekspertët theksojnë se rezultatet tregojnë sa kompleks është ritmi natyror i trupit të gruas dhe sa shumë faktorë ndikojnë në dëshirën për intimitet.
Në fund, studiuesit rikujtojnë se libidoja nuk është e njëjtë për çdo grua dhe nuk duhet parë si diçka fikse, pasi ndryshon sipas moshës, emocioneve, stilit të jetës dhe gjendjes hormonale. /Telegrafi/