Sot ai konsiderohet një nga futbollistët më të talentuar të brezit të tij, por para se të shkëlqente në skenën më të madhe të futbollit evropian, Florian Wirtz ishte thjesht një djalosh 12-vjeçar me ëndrra të mëdha.
Një letër e shkruar prej tij më 28 maj 2015 është bërë sërish virale në rrjetet sociale, pasi zbulon se si e imagjinonte të ardhmen në një moshë shumë të re. Dokumenti është ruajtur, kornizuar dhe sot ekspozohet në Muzeun Gjerman të Futbollit në Dortmund.
Në letër, Wirtz përshkruan jetën e tij të përditshme si nxënës i klasës së gjashtë në shkollën “Abtei” në Brauweiler.
Në atë kohë, talenti gjerman shprehej se ishte shumë i lumtur, pasi sezonin pasues do të luante me një ekip të grupmoshave më të mëdha, duke e parë këtë si një hap të rëndësishëm në zhvillimin e tij.
Në letër nuk mungojnë as ëndrrat personale. Wirtz shkruante se shpresonte të krijonte një familje të bukur me bashkëshorten dhe dy fëmijë, ndërsa synimi më i madh ishte të përfundonte shkollën dhe më pas të bëhej futbollist profesionist.
Ajo që bie më shumë në sy është emri i idhullit të tij. Në moshën 12-vjeçare, Florian Wirtz ëndërronte të luante në të njëjtin nivel me Neymar Jr., futbollistin që e frymëzonte më shumë në atë periudhë.
Letra e plotë e Wirtz:
“Përshëndetje! Sot është 28 maj 2015. Jam 12 vjeç dhe ndjek klasën e 6D në shkollën Abtei në Brauëeiler. Kam shokë shumë të mirë, si në shkollë ashtu edhe në futboll, dhe kaloj shumë kohë me ta”.
“Lënda ime e preferuar është Edukata Fizike. Nga lëndët kryesore, ajo që më pëlqen më shumë është anglishtja. Si hobi, luaj futboll, siç e përmenda më parë. Ndonjëherë ngas edhe biçikletën ose patina”.
“Për momentin, futbolli po më sjell shumë kënaqësi, sepse sezonin e ardhshëm do të luaj me një ekip të një grupmoshe më të madhe se e imja”.
“Ajo që më mërzit tani është se shokët e shkollës nuk janë më aq të sjellshëm sa kanë qenë më parë, por jam i sigurt se kjo do të ndryshojë së shpejti. Besoj se në të ardhmen do të kem një grua të mrekullueshme dhe dy fëmijë”.
“Sa u përket synimeve të mia, fillimisht dua të përfundoj shkollën e mesme. Më pas, shpresoj të bëhem futbollist profesionist dhe të luaj në të njëjtin nivel me idhullin tim më të madh: Neymar Jr”./Telegrafi/
