Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala ka konfirmuar informacionet për planin e atentatit ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Po, ne sot kemi marrë një informacion të kësaj natyre, pra mund të konfirmoj që jam i informuar për këtë çështje, për një lloj planifikimi, për një rrjet njerëzish të lidhur me të dhe organizatash në Kosovë dhe në disa shtete të tjera të bashkimit Evropian dhe jashtë territorit të Evropës. Individë të cilët kanë rënë në përgjime të njërës prej agjensive intelegjente kryesore të BE-së, të vendeve të BE-së dhe nga ajo çka na është thënë ne, del që ka pasur një plan të strukturuar për këtë gjë”, ka deklaruar ai në Dukagjini.
Shala tha se, bazuar në përgjimet që posedojnë, motivi për plan atentat është kryekëput politik.
“Nga informacionet që kemi marrë ne, që bazohet në përgjimet për të cilat po flas unë, motivi është pastërtisht politik, pra është qartë i thënë, i artikuluar dhe i elaboruar. Për këtë ne kemi njoftuar sot policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të rendit si dhe miqtë tanë ndërkombëtar dhe organizatat ndërkombëtare dhe çështja po trajtohet në disa nivele”.
“Ne i kemi marrë [informacionet] nga një burim, që i referohet një agjencie të fuqishme inteligjente”, tha tutje Shala, duke shtuar se nuk mund të zbulojë më shumë pasi gjithçka është subjekt hetimi.
Të përfshira në këtë plan, Shala tha se janë dy organizata.
“Njëra organizatë pretendohet se vepron në Kosovë derisa tjetra jashtë Kosovës. Ajo që vepron jashtë Kosovës ka marrë përsipër ta financojë ekzekutimin e këtij plani”, deklaroi ai.
I pyetur se kush janë objekt sulmi, Shala tha se përpos Abdixhikut, janë edhe tre deputetë të tjerë të LDK’së, përjashtim ai vetë.
“Është emri i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të tre kolegëve të mi deputetë”, deklaroi tutje ai.
Deputeti i LDK’së, Kujtim Shala, tha se kjo tentativë për atentat ka motive sulmi ndaj kundërshtarit, siç tha ai, kryesor poltik sot, që është LDK’ja.
“S’ka të bëjë me një aktivitet konkret, me sa vërejmë, po ka të bëjë me një lloj ataku kundër kundërshtarëve politikë dhe më saktësisht kundër kundërshtarit kryesor politik sot, që është Lidhja Demokratike e Kosovës”.
Ai tha se s’mund ta akuzojë askënd për këtë, por megjithatë tha se ka të bëjë me një rrjet të gjërë.