Kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kthimin në Kuvend, për rishqyrtim, të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe miratimi i kësaj kërkese nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka nxitur reagime të shumta në skenën politike.
PDK-ja është përballur me kritika, pasi ishte vetë sponsorizuese e këtij ligji, i cili u miratua më 6 tetor 2026. Kërkesa për rishqyrtim erdhi pasi u ngritën pikëpyetje lidhur me dispozitat e tij dhe zbatimin në praktikë.
Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar ish-nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj.
Në prononcimin e tij, Haradinaj është shprehur optimist se ligji mund të përmirësohet, nëse partitë politike e kanë seriozisht këtë synim.
“Po besoj, nëse e kanë pasur përnjëmend, atëherë edhe më mirë bëhet me këto përmirësime, se mbrojtja i ka kërkuar!”, u shpreh Haradinaj për lajmi.net.
Çitaku: Ligji do të rishqyrtohet brenda katër javësh
Pas kritikave të ngritura për kthimin e ligjit në Kuvend, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar duke thënë se partia nuk është tërhequr nga nisma e saj, por synon të eliminojë paqartësitë juridike.
Çitaku është zotuar se ligji do të rishqyrtohet brenda katër javësh dhe se do të synohet hyrja e tij në fuqi brenda afateve të parashikuara.
“Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë!”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se kthimi në Kuvend nuk përbën tërheqje nga nisma, por një mundësi për të forcuar bazën juridike të tij dhe për të siguruar zbatimin në praktikë.
Ajo ka theksuar gjithashtu se PDK-ja i mirëpret kritikat e bazuara dhe u ka bërë thirrje të gjithë atyre që e kanë mbështetur këtë nismë të vazhdojnë të kontribuojnë në proces.
Bashkimi Evropian kërkon konsultime për ndryshimet
Rikthimi i ligjit në Kuvend ka nxitur reagime edhe në nivel ndërkombëtar.
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e presidentes Shiroka-Pula për kthimin e ligjit për rishqyrtim, por ka kërkuar që të konsultohet nëse diskutimet për ndryshimet ligjore rifillojnë në Kuvend.
BE-ja ka shprehur shqetësime për nismën e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara si para, ashtu edhe pas miratimit të tij më 6 tetor.
Shqetësimet lidhen me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
BE-ja ka rikujtuar se Kosova, në kuadër të marrëveshjeve dhe zotimeve të mëhershme, është zotuar të konsultohet me të për nismat që mund të ndikojnë në mandatin e gjykatës ose në procedurat gjyqësore.
Ky qëndrim nënvizon rëndësinë e konsultimeve ndërkombëtare gjatë rishqyrtimit të dispozitave që prekin funksionimin e Gjykatës Speciale.
Kritika për vendimin e PDK-së
Vendimi për rikthimin e ligjit nuk është pritur njësoj nga të gjitha subjektet politike.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, e ka kritikuar këtë veprim, duke e cilësuar si të dëmshëm për kauzën që synon mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili ka qenë i përfshirë në hartimin e ligjit, ka deklaruar se qëndron prapa përmbajtjes së tij dhe se nuk sheh gabime në tekstin e miratuar.
Gruda ka thënë se do të preferonte që diskutimi të përqendrohej te zbatimi i ligjit, e jo te rihapja e debatit për të. Megjithatë, ai ka theksuar se, nëse Kuvendi e rishqyrton atë, procesi duhet të zhvillohet mbi argumente juridike dhe me synimin për të ruajtur thelbin e nismës.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit, duke theksuar se mbrojtja e luftës së UÇK-së duhet të bëhet me punë dhe kujdes.
Çfarë ndodh tani me ligjin?
Kthimi i ligjit nga presidentja nuk nënkupton anulimin automatik të tij. Sipas ekspertit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, i cili ka folur për Radion Evropa e Lirë, ligji duhet t’i nënshtrohet procedurës së rishqyrtimit në Kuvend.
Komisioni përkatës parlamentar pritet t’i shqyrtojë arsyet e kthimit dhe të përgatisë raportin për seancën plenare. Sipas shpjegimit të Jakajt, për miratimin e sërishëm të ligjit kërkohen së paku 61 vota të deputetëve.
Në këtë fazë, mbetet të shihet se cilat dispozita do të trajtohen dhe nëse do të propozohen ndryshime konkrete për të adresuar shqetësimet juridike dhe ato që lidhen me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës./lajmi.net/

