Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën, më 26 tetor, në orën 11:00, për të diskutuar çështjet e parapara në rendin e ditës dhe për të përcaktuar agjendën e seancës së ardhshme plenare.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit, mbledhja do të mbahet në sallën C-301, transmeton lajmi.net.
Në kuadër të takimit, anëtarët e Kryesisë do të shqyrtojnë propozimin për rendin e ditës së seancës së radhës, ku ndër pikat kryesore është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Po ashtu, në agjendë është paraparë votimi i propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Deputetët pritet të trajtojnë edhe miratimin e procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Në fund të mbledhjes, Kryesia do të shqyrtojë edhe propozimet dhe kërkesat e paraqitura./lajmi.net/

