Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vizituar të enjten Prokurorinë Themelore në Prizren dhe atë në Gjakovë, ku ka diskutuar me prokurorët për rezultatet e punës, ngarkesën me lëndë dhe sfidat që po ndikojnë në efikasitetin e trajtimit të rasteve penale.
Në këto vizita, Gashi është shoqëruar nga zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, dhe drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi, raporton lajmi.net
Sipas njoftimit të Prokurorit të Shtetit, Gashi i ka informuar prokurorët për veprimet e ndërmarra që nga emërimi i tij, të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së punës dhe mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të prokurorëve.
Gjatë takimeve, vëmendje e veçantë i është kushtuar mungesës së numrit të mjaftueshëm të prokurorëve dhe ngarkesës me lëndë, si dhe vonesave në kryerjen e ekspertizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF).
Lidhur me këto vonesa, Kryeprokurori Gashi ka bërë të ditur se shqetësimet i ka adresuar në institucionet përkatëse, përkatësisht në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve institucionale.
Në fund të vizitave, Gashi u ka kërkuar prokurorëve profesionalizëm dhe rezultate të matshme në trajtimin e rasteve penale, duke u zotuar për mbështetje profesionale dhe institucionale në funksion të forcimit të sundimit të ligjit./Lajmi.net/

