Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i shlyejnë sa më parë faturat e papaguara të ujit, duke paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj atyre që nuk i përmbushin obligimet deri më 1 nëntor.
Sipas njoftimit të kompanisë, ndaj konsumatorëve që kanë borxhe të papaguara mund të ndërmerren masa që përfshijnë shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit dhe procedimin e lëndëve te përmbaruesit privatë.
KRU “Prishtina” ka paralajmëruar se procedurat përmbarimore mund të sjellin shpenzime shtesë administrative dhe masa të tjera ligjore, përfshirë bllokimin e llogarive bankare.
Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i përmbushin obligimet brenda afatit të caktuar, në mënyrë që të shmangin ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe kostot shtesë. /Telegrafi/

