Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se gjatë kësaj jave ekipet e kontrollit do të jenë në terren për mbledhjen e faturave të papaguara.
Në kuadër të aksionit të cilin kompania e ka quajtur “Java e Shkyçjeve”, ekipet do të punojnë në identifikimin e konsumatorëve me obligime të papaguara dhe marrjen e masave të parapara ndaj tyre.
KRU “Mitrovica” u ka bërë thirrje konsumatorëve që kanë borxhe të papaguara që t’i kryejnë pagesat me kohë, në mënyrë që të shmangin shkyçjen nga rrjeti i furnizimit me ujë.
“Kryeni pagesat me kohë dhe shmangni masat e shkyçjes nga rrjeti i furnizimit me ujë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Sipas KRU “Mitrovica”, pagesa e rregullt e faturave është përgjegjësi e konsumatorëve dhe ndihmon në vazhdimësinë dhe përmirësimin e shërbimeve të ujësjellësit.
“Mos pritni shkyçjen – kryeni pagesën me kohë!”, ka apeluar kompania. /Telegrafi/