Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se po vazhdojnë shkyçjet masive të konsumatorëve për shkak të mospagesës së faturave të ujit.
Përmes një apeli publik, kjo kompani u ka bërë thirrje qytetarëve që të kryejnë obligimet financiare në kohë, në mënyrë që të shmangin ndërprerjen e shërbimeve dhe kostot shtesë që mund të lindin nga ky proces.
Nga KRU “Mitrovica” është theksuar gjithashtu se konsumatorët që kanë borxhe të papaguara mund të përfitojnë nga mundësia e riprogramimit të tyre, si një alternativë për të evituar masat ndëshkuese.
Kompania ka apeluar që qytetarët të veprojnë me kohë dhe të mos e shtyjnë pagesën, duke theksuar rëndësinë e përmbushjes së obligimeve për funksionimin e qëndrueshëm të shërbimeve të ujësjellësit. /Telegrafi/